
Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, së bashku me përfaqësues të kësaj force politike, kanë depozituar këtë të premte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) 107 mijë firma të qytetarëve, me kërkesën për mbajtjen e një referendumi që synon shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe ligjit për “Investimet Strategjike”.
Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të KQZ-së, Lapaj u shpreh se kjo nismë shënon një moment të rëndësishëm për ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë në vend, ndërsa nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë dhe klasës politike aktuale.
Duke e cilësuar mbledhjen e firmave si një akt të pastër vullneti qytetar, kreu i “Shqipëria Bëhet” theksoi se këto dy nisma ligjore cënojnë pronën dhe interesin publik.
Sot po depozitojmë 107 mijë firma të mbledhura nga qytetarët shqiptarë. Janë 107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum për të shfuqizuar 'Paketën e Maleve' dhe ligjin për 'Investimet Strategjike'. Qytetarët shqiptarë duan që të mbahet një referendum, ku ata të ushtrojnë të drejtën kushtetuese dhe të vendosin vetë për veten e tyre dhe për vendin tonë. Këto dy ligje janë dëshmi e qartë e hajdutërisë nga klasa që e sundon vendin. Tashmë qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre të qartë, të cilin ne po e depozitojmë sot zyrtarisht në KQZ për të shfuqizuar këto ligje.
