Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Prokurorinë e Posaçme, e cila ka riregjistruar një procedim penal për Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, tha në emisionin “Të paekspozuarit” në MCN tv, se bazuar në disa informacione të tij, Veliaj besohet të jetë përplasur me një pjesë të hetuesve.
SPAK e ka të pamundur të amnistojë Veliajn, sado që ka tentuar të intimidojë. Kam informacione se është përplasur sot me një pjesë të hetuesve. Sado i etiketon si trokitës apo kolegë, sërish mendoj se SPAK e ka çështje finale rastin Veliaj. Ose do të mbyllë qepenin, ose Veliaj do të shkojë para ligjit.
Veliaj është i mbaruar politikisht. Ne si opozitë na intereson zvarritja e Veliajt në këtë gjendje, por për aspektin ligjor, mendoj se Veliaj ka kapitulluar.
Nuk mund të akuzosh tre drejtorë, vartës direkt të kreut të Bashkisë Tiranë, që kanë bërë skemë dhe kanë vjedhur me 45 tenderë, 30 milionë euro, të marrin dhe tre leje ndërtimi që firmos Veliaj dhe Veliaj të mos dijë gjë, nuk ka shqiptar që nuk e beson.



