Ekspertja e OECD për Migracionin Eda Gemi tha në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv se e ka rzibuluar Tiranën pasi jetoi për afro 30 vite në Greqi.
Ajo tha se në një epokë postmoderne si e sotmja nuk ka më identitete unitare, duke e konsideruar kësisoj veten qytetare të botës, por të botës europiane.
Kam jetuar për 30 vite në Greqi, kam studiuar atje. Dy vitet e fundit vij më shumë në Shqipëri për arsye profesionale. Kam zbuluar Tiranën pas 30 vjetëve. Jetojmë në një epokë postmoderne ku s’ka më identitete unitare. Ka identitete të shumë niveleve. Mund të jesh nga Tirana, Athina, qytetare botës e kështu me radhë. Nuk jam e ngulur në Tiranë, por shkoj e vij mes Athinës dhe Tiranës. Jam një qytetare e botës, por për t’u bërë pak më lokaliste, e botës europiane. Kthimi është koncept i riparë edhe në studimet migratore. Nuk ka më kthim të pakthyeshëm. Kam gjetur një Tiranë mjaft tjetër, shumë ndryshe. Nuk është më ajo që kam lënë në 91-shin. Ka ndryshuar për mirë, por ka edhe një element identitar, ku nuk orientohesha dot më. Identiteti i Tiranës gradualisht ka humbur, jo domosdoshmërisht është negative, por nuk është plotësisht pozitive. Ajo që e lidh njeriun është vendi ku ka lindur, dhe si është sistemuar brenda hapësirës që krijohet nga njerëzit”.



