Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e dhënë sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili do të vijojë të ushtrojë detyrën.
“Vendimi i sotëm i komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të amnistuar uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit me 3 vite burg në Greqi, është në shkelje të ligjit dhe në kundërshti me tre precedentë për të cilët KQZ ka vendosur ndërprerjen e mandatit”, tha deputeti i zgjedhur i PD-së, Belind Këlliçi.
Këlliçi theksoi se në rastet e Dashamir Tahirit, e Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicës, që kanë rezultuar të dënuar apo hetuar jashtë vendit dhe që nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe kanë pretenduar se nuk kanë pasur dijeni për këto fakte, KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve.
“Në rastet e Dashamir Tahirit, e Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicës, që kanë rezultuar të dënuar apo hetuar jashtë vendit dhe që nuk e kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit dhe kanë pretenduar se nuk kanë patur djeni për këto fakte, KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve. Pra të kundërtën e asaj që Ilirjan Celibashi zgjodhi të bëjë sot.
Qerim Ismailaj është subjekt ndalimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai përfshihet në shkronjën “ç” të pikës 1, të nenit 2 të ligjit, për shkak se ka kryer një krim dhe është dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim. Për këtë rast ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, deri në momentin e rehabilitimit. Qerim Ismailaj jo vetëm nuk e ka përfunduar dënimin, por e ka fshehur atë dhe vendimi nuk është ekzekutuar sipas ligjit”.
Vendim i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, Këlliçi thotë se është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm, atë të dekriminalizimit.
“Vendim i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm të Republikës tonë, atë të Dekriminalizimit. Një ligj që erdhi në jetë nga beteja e Partisë Demokratike për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë institucione të pastra nga kriminelët dhe për ta shkëputur politikën me krimin. Partia Demokratike dënon me forcë shkeljen e ligjit të Dekriminalizimit dhe do ta ankimojë këtë vendim”, u shpreh Këlliçi.



