
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar ankimon në Kolegj Zgjedhor vendimin e KQZ për regjistrimin në zgjedhje të partisë së Astrit Patozit, Bindja Demokratike. Në kërkesën për shfuqizimin e vendimit, Bashkimi Demokrat Shqiptar argumenton se vërtetimi i gjykatës, i paraqitur në KQZ nga Bindja Demokratike, nuk ka marrë formë të prerë.
“Kodi Zgjedhor thotë qartë se “për të marrë pjesë në zgjedhje një parti duhet të paraqesë vërtetimin e regjistrimit në gjykatë”, gjë që Bindja Demokratike nuk e ka, sepse vërtetimi i paraqitur nuk është i formës së prerë”, thuhet në ankimimin e PBDSH-së, e cila shprehet se duke futur në garë, në kundërshtim me ligjin për partitë dhe Kodin Zgjedhor, organizata politike të paregjistruara në gjykatë, KQZ cenon kushtet e barabarta në zgjedhje dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve.
PBDSH sjell rastet e viteve 2013 dhe 2015, kur “KQZ nuk ka pranuar të regjistrojë 2 parti në zgjedhje në kushte të njëjta me Bindjen Demokratike, duke argumentuar se sepse vendimi i gjykatës nuk kishte marrë formë të prerë përpara skadimit të afatit për dorëzimin e kërkesës në KQZ.
Kolegji Zgjedhor e ka konfirmuar këtë qëndrim të KQZ në 26 prill 2013, për Partinë Civile, duke argumentuar se “pa marrë vendim të formës së prerë regjistrimi në gjykatë, kryetari i partisë së re apo të autorizuarit e tij, nuk ka tagër të paraqesin në KQZ kërksësë për regjistrim”. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për zotin Astrit Patozi si kryetar i Bindjes Demokratike apo të autorizuarit prej tij, të cilët kanë dorëzuar kërkesë në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje përpara se vendimi I gjykatës për regjistrimin si parti të marrë formë të prerë”, thuhet në kërkesë.



