
Një ditë pas kerkesës së re që kryeministri Edi Rama i dergoi presidentit Ilir Meta, për dekretimin e Sandër Lleshit si Minister i Brendshem, ka reaguar edhe Presidenca.
Permes një deklarate për mediat, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron se "Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi)”.
Presidenca njofton se prej ditës së djeshme Presidenti Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim lidhur me dekretimin e Sander Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm.
Në deklaratën e Presidencës, thuhet se kreu i shtetit është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare, ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.



