
Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 40-vjetorin e Tragjedisë së Fekenit, ku humbën jetën 11 pedagogë dhe studentë të ish-Shkollës së Lartë së Bashkuar të Oficerëve.
Kreu i shtetit theksoi se kjo ishte një ngjarje e paharruar në historinë e Forcave tona të Armatosura, dëshmi e sakrificës sublime dhe e ndjenjave më të pastra vetëmohuese, të trimërisë dhe guximit, të efektivëve nën uniformë.
“Ndarja e tyre nga jeta në mënyrë tragjike, më 6 shkurt 1981, për shkak të katastrofës natyrore të ndodhur gjatë stërvitjes dimërore, tronditi rëndë opinionin publik të kohës, për t’u përkujtuar si ngjarje e paharruar në historinë e Forcave tona të Armatosura, dëshmi e sakrificës sublime dhe e ndjenjave më të pastra vetëmohuese, të trimërisë dhe guximit, të efektivëve nën uniformë.
Mendimet e mia janë sot me familjarët e Heronjve dhe me ish-ushtarakët e plagosur, të cilët fatmirësisht i mbijetuan tragjedisë për të mbetur dëshmitarë të gjallë të saj”, shkruan Meta.
Në fund Presidenti i shpreh mirënjohje të gjithë efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e sa më shumë jetëve, në atë fatkeqësi të madhe.



