Ministrja Delina Ibrahimaj ka komentuar protestat e ditëve të fundit lidhur me projektin e mundshëm në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se qeveria nuk ka ende një projekt të miratuar në tryezë dhe se çdo nismë do të respektojë standardet e Bashkimit Europian.
E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV, Ibrahimaj u shpreh se një pjesë e zërave publikë që kanë kundërshtuar projektin nuk janë të interesuar për realizimin e tij apo për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ajo që kemi parë ditët e fundit nga persona që marrin mikrofonat dhe flasin është evidente që nuk janë të shqetësuar as për realizimin e projektit dhe nuk janë të interesuar as për zhvillimin ekonomik të vendit. Unë dhe anëtarët e qeverisë e çelim dhe e mbyllim ditën duke punuar secili në fushën e vet për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian dhe për të çuar përpara proceset që lidhen me zhvillimin e vendit.
Ministrja theksoi se në fillim protestat u perceptuan si një reagim ndaj çështjes së Zvërnecit, ndërsa kujtoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore në një vend demokratik.
Në fillim protesta u duk sikur ishte për Zvërnecin dhe padyshim që ne jetojmë në një vend demokratik ku çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë mendimin e vet. Por ne kemi qenë të qartë se nuk kemi ende një projekt në dorë dhe, pa diskutim, projekti që do të miratohet do të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Në momentin që ai do të vijë në tryezë, do të diskutohet gjerësisht me të gjitha palët e interesuara.
Duke folur për ecurinë e protestave, ajo vlerësoi se kërkesat dhe pretendimet e ngritura kanë ndryshuar me kalimin e ditëve, duke u larguar nga qëllimi fillestar.
Nga ajo ditë deri më sot kemi dëgjuar kërkesa dhe pretendime të ndryshme nga ato të protestës së parë. E kuptoj qëllimin e protestës, sepse edhe si qytetare do të isha e indinjuar kur pashë pamje të dhunës ndaj protestuesve apo çështje që lidhen me kufizimin e aksesit në bregdet. Ndoshta mungesa e një projekti konkret nxiti edhe më shumë qytetarët të reagojnë dhe unë i mirëkuptoj. Por sot protesta ka marrë disa përmasa që nuk kanë lidhje me projektin dhe me debatin fillestar që u ngrit për Zvërnecin.



