
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, shpalli 11 qershorin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Vendimi vjen një ditë pasi Gjukanoviç, duke iu referuar Kushtetutës së vendit, nxori dekretin për shpërndarjen e përbërjes së deritashme të Kuvendit, raporton vijesti.me
Të gjithë janë të vetëdijshëm për krizën e thellë politike dhe institucionale, të cilën e ka prodhuar mazhoranca e papërgjegjshme.
Unë i jam përmbajtur me vendosmëri Kushtetutës, për të mos kontribuar në të. Më 20 gusht, qeverisë iu votua mosbesimi. kushtet nuk u plotësuan, disa nuk iu përgjigjën konsultimeve, as nënshkrimet për të mbështetur kandidatin. Jam i bindur se gjëja më e mirë ishte shkurtimi i mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve, përkundrazi, mazhoranca në ndryshim iu drejtua veprimeve antikushtetuese dhe kaloi ndryshimet në ligjin për Presidentin, të cilin e dërgova për rivendim.
Kam shpallur ligjin me dekret i cili ka hyrë në fuqi dhe jep efekte juridike. Dihet se si përfundoi përpjekja për formimin e qeverisë së Lekiçit, prandaj u plotësuan kushtet që në përputhje me Kushtetutën, nenin 92 paragrafi 3, të nxjerr dekret për shpërndarjen e parlamentit. Duke zbatuar nenin 92, paragrafi 5, mora vendim që të thërrasim zgjedhjet për 11 qershor”.
Ai e mori vendimin pasi kjo shumicë parlamentare nuk arriti të formonte Qeverinë e re, apo të riorganizonte Qeverinë ekzistuese, së cilës iu votua mocioni i mosbesimit, gushtin e kaluar.
Kjo ndodhi pak kohë pasi Qeveria e Dritan Abazoviçit nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Të dyja vendimet e Gjukanoviçit vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.
Gjukanoviç është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve në këto zgjedhje.
Në garë do të jenë edhe gjashtë kandidatë të tjerë.



