Gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e Partive Popullore Evropiane në Malt, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, Basha dhe Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.
“Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi kryeopozitari Basha teksa e informoi homologun e tij Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nga ana e tij, sipas PD-së, Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partive Popullore Evropiane në Maltë, ku pritet të mbajë edhe fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime të veçanta me liderë evropianë.
PPE është grupimi politik më i madh në Parlamentin Europian dhe kryeson Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.



