
Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama sot në Përrenjas.
Gjatë një takimi me qytetarët, kreu i qeverisë tha se pas 30 qershorit, kryebashkiakja aktuale, Miranda Rira, që përfaqëson LSI-në, duhet të merret me beben e sapolindur, sepse do të ketë kohë të lirë plot.
Në një status në Facebook, ish-deputetja Malaj shprehet se me këtë koment, kryeministri ka fyer çdo grua e vajzë.
“Për ty ekziston vetëm një fjalë, kolltuku yt. Sot me fjalët që the, ti nuk fyeve Mirandën, po ti fyeve çdo grua e vajzë, çdo nënë e gjyshe, hodhe poshtë të gjitha ato ligje që me aq mund e djersë, ditë e netë pa gjumë, i kemi bërë për të ndërtuar një shoqëri me vlera, duke i dhënë vlerësimin e merituar gruas, e duke e larguar sa më shumë nga gjuha sekiste. Po ti je ti, sado që të hiqesh sikur je ndryshe, pasi koncepti yt për gruan është koncepi i kurtizaneve. Sot bëre faj të madh!”, shkruan ajo.
Malaj thotë se mëmësia nuk mund të përdoret si ndëshkim. “Mëmësia është shenjtëri dhe jo punë detyruese që jepet për ndëshkim, o ti njeriu pa mend! Mëmësia është motivi kryesor i jetës, për t’u dhënë fëmijëve tanë një jetë të sigurt dhe të qetë! Kujdes, me karrierën e grave dhe vajzave të Shqipërisë! Ato nuk janë kurtizanet e tua, po janë vlera e kombit dhe të familjes shqiptare! Mos i prek gratë dhe qumështin e gjirit të tyre, se gruaja që tund djepin, përmbysur ka dhe shtetin! Gratë dhe vajzat e ketij vendi, janë heroinat që me mish dhe shpirt, mundohen që ta bëjnë kete vend të jetueshëm! Sot përfundimisht tregova që tashmë je në buzë të greminës , fole si diktator, derisa u more me bebet e pafajshme e nënat lehonë! Zoti pastë mëshirë për ty dhe fundin tënd!”, shkruan Malaj.



