Kryetarja e Autoriteti i Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, raportoi sot në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit të kaluar, duke theksuar forcimin e vendimmarrjes ligjore dhe konsolidimin e pavarësisë institucionale.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 Bordi i AMA-s ka marrë rreth 110 vendime, ndërsa në pesë vitet e fundit janë miratuar mbi 550 vendime, prej të cilave mbi 67% me dakordësi unanime. Vendimet përfshijnë çështje të ndryshme si dhënie dhe rinovim licencesh e autorizimesh, masa administrative, si dhe akte nënligjore dhe procese për frekuenca të lira audiovizive.
Krasniqi theksoi se AMA ka ushtruar rol aktiv edhe në monitorimin e fushatave zgjedhore dhe në zbatimin e standardeve të transmetimit, duke marrë masa për shkelje të konstatuara, përfshirë gjoba për përmbajtje dhe për pirateri televizive, me një vlerë totale që kalon 80 milionë lekë.
Duke iu referuar kontrollit gjyqësor, ajo u shpreh se gjatë vitit raportues AMA ka fituar 15 procese gjyqësore dhe ka humbur vetëm një, ndërsa në pesë vitet e fundit rreth 82% e çështjeve të përfunduara në shkallën e parë janë fituar nga institucioni. Sipas saj, kjo tregon se vendimet e AMA-s janë të bazuara në ligj dhe profesionalizëm.
Pavarësia e një autoriteti rregullator nuk matet me perceptime apo deklarata politike, por me vendimmarrjen, transparencën dhe aftësinë për t’u përballur me kontrollin gjyqësor,” u shpreh Krasniqi.
Ajo shtoi se gjatë vitit 2025 Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar 432 ankesa, ku shumica dërrmuese janë paraqitur nga qytetarët, duke reflektuar besimin e publikut në AMA si mekanizëm mbrojtës. Gjithashtu janë trajtuar 329 raste programore, me masa administrative për shkeljet e konstatuara, përfshirë gjoba dhe “tërheqje vëmendjeje”.
Në përfundim, Krasniqi theksoi se pavarësia institucionale “fitohet çdo ditë” përmes vendimmarrjes së bazuar në ligj, profesionalizëm dhe përgjegjësi publike.



