Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu foli në edicionin e lajmeve në MCN Tv për ftesën e ardhur për Shqipërinë që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes në Gaza. Mediu theksoi se nuk është ftesë personale për Ramën, por për Shqipërinë.
Ai vuri në dukje se marrëdhëniet bilaterale mes Trump-it dhe Ramës zhvillohen në takime në Shtëpinë e Bardhë, apo vizitë të Presidentit amerikan në Shqipëri, gjë që nuk ndodhur. Po ashtu ai u shpreh se mesazhe që vijnë nga SHBA janë për luftimin e karteleve të drogës dhe krimit të organizuar e korrupsionit.
“Politika e jashtme nuk mund të ridikulizohet deri në këtë lloj derexheje. Presidenti Trump do t ë ndërtojë një bord që të merret me çështjet e paqes, për shkak të politikave, dhe u është adresuar disa shteteve, që përveç pjesës morale kanë edhe obligimet e tyre përse janë aty. Nëse arrijmë te bindja se Trump-i ka ftuar Ramën se është mendjendritur, dhe Shqipëria nuk kontribuon dot në asnjë gjë, mendoj që jemi gabim në analizën që bëjmë. Është ftuar çdo lloj shteti që ofruar një lloj mundësie për të bashkëpunuar dhe kontribuar. Elementët e këtij bashkëpunimi dhe kontribuimi padyshim që duhen parë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por janë ftuar edhe vende që s’janë anëtare të NATO-s, apo bien ndesh me NATO-n. Kjo është politika e Trump-it për të arritur të ndërtojë një institucion të një marrëdhënie ndërkombëtare që ka në qendër SHBA-të, dhe rreth kësaj të bashkohen shtetet për të arritur te disa ide, qëndrime, interesa, siç i ka paraqitur Trump: Amerika First. Mua s’më intereson fare pozita e Ramës, por pozita e Shqipërisë. Çështja është sa interes ka Shqipëria. Ftesë apo takim është një takim që organizohet në Shtëpinë e Bardhë, apo kur Presidenti amerikan vjen në Shqipëri. Ky quhet raport bilateral, gjë që s’ka ndodhur. Të gjitha mesazhet që vijnë nga SHBA, kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe karteleve të drogës, dhe këto nuk zhvillohen në terren bosh”.



