Janë zbardhur amendamentet e Partisë Demokratike për projektbuxhetin, paketën fiskale dhe marrëveshjen e paqes fiskale.
Falja e detyrimeve tatimore e doganore
PD kërkon kufizime për subjektet që kanë përfituar dhe vijojnë të përfitojnë fonde publike, detyrim për publikimin e listës së plotë të tatimpaguesve që përfitojnë fshirje/shuarje mbi 5 milionë lekë dhe rritjen e transparencës për të shmangur trajtimin e pabarabartë.
“Për Fshirjen, Shuarjen dhe Pagesën e Detyrimeve Tatimore ndaj Administratës Tatimore Qendrore e të Detyrimeve të Pagueshme në Doganë”
Nisur nga fakti që ky propozim i njëanshëm i qeverisë shqiptare nuk ka ardhur në respekt të plotë të detyrimit ligjor për të konsultuar këtë propozim me të gjithë grupet e interesit përpara se ky propozim të paraqitej për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë.
Nisur nga fakti se gjatë trajtimit në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave të këtij projekt ligji dhe dëgjesave të kryera deri me sot edhe me grupet e ftuara të interesit.
Me qëllimin rritjen e transparencës ndaj publikut dhe aktorëve të tregut, si dhe shmangien e trajtimit të pabarabartë mes tatimpaguesve/subjekteve të rregullta dhe atyre jo të rregullta, propozoj disa shtesa si më poshtë vijon:
Përjashtimin nga falja/shuarja e detyrimeve të cdo subjekti (kompanie) të cilat janë në pronësi apo zotërim të individëve apo subjekteve të tjera, të cilët operojnë edhe subjekte të tjera tatimore aktive, me bilance pozitive apo që kanë përfituar/perfitojnë financime publike në kuptimin e financimeve që pasvijnë nga tenderime apo prokurime publike.
Rritjen e transparencës, si një detyrim ndaj publikut dhe aktorëve të tregut, duke publikuar në faqen zyrtare ëeb të institucioneve, listën e plotë të tre mijë (3000) tatimpaguesve/subjekteve që do të rezultojnë me fshirjen/shuarjen më të lartë në vlerë. Gjithashtu propozoj vendosjen në ligj të detyrimit të publikimit të listës së plotë të tatimpaguesve/subjekteve që përfitojnë fshirje/shuarje të paktën në masën 5 milionë lekë, pavarësisht të qënurit apo jo në listën e tre mijë (3000) tatimpaguesve/subjekteve që përfitojnë fshirjen/shuarjen me vlera më të larta.
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme
PD propozon uljen e normës tatimore nga 5% në 2%, për të lehtësuar pjesëmarrjen e familjeve dhe bizneseve në procesin e rivlerësimit dhe për të siguruar një masë gjithëpërfshirëse dhe të suksesshme.
“Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”
Ndryshimi i propozuar prek vetëm normën e pagesës së propozuar nga qeveria (normën tatimore) për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.
Ne propozojmë masën 2% për rivlerësimin, në dallim nga norma tatimore 5% që propozon qeveria.
Arsyet janë të shumta, por ndër më kryesoret jane:
T`i ofrojmë sa më shumë mundësi familjeve dhe bizneseve shqiptare për tu bërë pjesë e këtij procesi të rivlerësimit, duke e konsideruar normën tatimore 5% të rivlerësimit të propozuar nga qeveria, si të lartë dhe të mundshme për tu përballuar kryesisht nga shtresa të caktuara shoqërore më te ardhura të larta apo/dhe biznese kryesisht të mëdha, si dhe,
Norma tatimore prej 2% e aplikuar në të kaluarën, ka rezultuar një normë gjithëpërfshirësë dhe e suksesshme.
Ndryshime në ligjin për TVSH-në (Nr. 92/2014)
PD propozon zgjerim të skemës së kompensimit për fermerët, përcaktim të qartë i TVSH-së në transaksionet me autofaturim, pagesa automatikisht mujore, shfuqizime të dispozitave kufizuese dhe harmonizim të bazës ligjore për të rritur formalizimin dhe konkurrencën e ndershme në sektorin bujqësor.
“Për disa Ndryshime në Ligjin Nr.92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”
Projektligji ka për qëllim të përmirësojë kuadrin ligjor të aplikimit të tatimit te vlerës së shtuar për implikimet që ka në sektorin e bujqësisë dhe një rregullim të ri në lidhje me mënyrën e llogaritjes së TVSH-së dhe zbritjes së TVSH-së, në rastet e autofaturimit në transaksionet e fermerëve me persona të tatueshëm.
Skema e kompensimit që propozon qeveria (10%) është vetëm një fraksion i problematikës me të cilën përballen fermerët shqiptarë.
Gjithsesi për ta plotësuar këtë skemë edhe me grupe/kategori të tjera fermerësh, ne propozojmë të futen në këtë skemë edhe katagoritë e renditura në nenin 1, pika 1 të këtij amendamenti.
Ndërkaq, koncepti i futjes së gjithë zinxhirit të prodhimit bujqësor në skemën e TVSH, është tjetër nga propozimi i qeverisë. Për të zgjidhur këtë gjë, ne kemi propozuar ndryshimet e tjera ligjore të renditura më sipër.
Objektivat kryesore që synohen të arrihen përfshijnë:
Harmonizimin e bazës ligjore të TVSH-së dhe respektimi i konceptit të TVSH-së;
Rregullimin e dispozitave ligjore të llogaritjes së TVSH-së dhe zbritjes së TVSH-së, në rastet e autofaturimit me burim nga marrëdhëniet me fermerët;
Diskrimimin pozitiv të tregtarëve me status fermeri të cilëve shteti i lehtëson dhe nuk vendos detyrim të përllogaritjes së TVSH-së dhe pagesës së TVSH-së në shitje;
Krijimin e premisës për subvencionim direkt dhe real për fermerët;
Rritjen e volumit të mbledhjës së TVSH-së nga formalizimi i qarkullimit të brendshem të produkteve bujqësore;
Garantimin e tatimit të drejtë dhe një konkurrencë të ndershme për tregtarët që shesin brenda vendit dhe agropërpunuesit që blejnë tek fermerët nëpërmjet autofaturës (përpunuesit e qumështit, mishit, perimeve, ullirit, drithrave etj).
Shtimin e prodhimit bujqësor.
Rritjen e konkurueshmërisë së produkteve vendase me ato të rajonit e për pasojë rritjen e eksporteve, rritjen e kërkesës për produktin vendas, rritjen e të ardhurave në zonat rurale (fshat) e rrjedhimisht rritjen e nivelit të jetesës në zonat rurale.
Balancimin gradual të importit të prodhimeve bujqësore me prodhimin vendas.
Mbështetjen e fermerëve, diversifikimi i aktiviteteve në zonat rurale dhe dhënien e impaktit pozitiv për industrinë përpunuese.
Rivendos të drejtën dhe lirinë e cënuar të sipërmarrësve sepse i cliron nga detyrimi arbitrar për të kredituar pa interes nga likuiditeti i tyre fermerët për llogari të administratës tatimore.
Të fusë në skemën e kompensimit (10%) edhe dy grupe të mëdha fermerësh si: prodhuesit bujqësorë të cilët janë subjekte të TVSH-së dhe lëshojnë faturë shitjeje për produktet e shitura, si dhe prodhuesit bujqësorë që autofaturohen nga subjektet e biznesit të vogël por që nuk janë subjekt i TVSH-së.
Paqja Fiskale
PD propozon përjashtimin e subjekteve në sektorin e ndërtimit, dyfishimin e normës së tatimit për fitimet e larta, dhe vendosjen e detyrimit të organeve tatimore për raportim pranë institucioneve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”
Nisur nga fakti që ky propozim i njëanshëm i qeverisë shqiptare nuk ka ardhur në respekt të plotë të detyrimit ligjor për të konsultuar këtë propozim me të gjithë grupet e interesit përpara se ky propozim të paraqitej për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë.
Nisur nga fakti se gjatë trajtimit në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave të këtij projekt ligji dhe dëgjesave të kryera deri me sot edhe me grupet e ftuara të interesit.
Me qëllimin e vetëm mbrojtjen e parimeve të konkurrencës së lirë e të ndershme, dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes ne Shqipëri, propozoj disa shtesa dhe ndryshime, si më poshtë vijon:
Përjashtimin e subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, pasi sipërmarrjet që operojnë në këtë sektor realizojnë fitime të larta, të cilat për shkak të informalitetit të lartë, është e vështirë të krijohet lidhja reale midis realizimit të fitimit dhe kohës së realizimit të këtij fitimi. Gjithashtu, ky sektor është një platformë e pakontrolluar për pastrimin e parave të krimit të organizuar dhe evazionit fiskal.
Propozoj dyfishimin e normës 5% të propozuar si tatim fitimi për subjektet që do të realizojnë fitime në intervalin 18%-50%. Gjithësesi duhet theksuar se edhe kjo normë e dyfishuar mbetet përsëri më e ulët sesa norma mesatare tatimore e subjekteve.
Për më tepër, në kuadër të transparencës dhe luftës ndaj parasë së krimit dhe evazionit fiskal, propozoj vendosjen në këtë projekligj të detyrimit të organeve tatimore për raportim të detyrueshëm në organet përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.



