
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij elektorale në shkelje të rregullave anti-COVID. Ai është pritur nga një numër i madh i njerëzve, të cilët e takojnë, i japin duart.
Basha, është pritur me ovacione paraditen e sotme në Memaliaj dhe Gjirokastër. Qytetarë të shumtë i kanë prerë rrugën dhe kanë uruar liderin demokrat për fitore në zgjedhjet e ardhshme.
"O gjigant, o yll bote, o kryeministër i ardhshëm", dëgjohen teksa i thonë qytetarëve.
Ndërkohë, mes thirrjeve “Rama ik” dhe dy gishtat e ngritura lart, Basha i falënderoi qytetarët për mikpritjen. “Faleminderit për mikpritjen”, është shprehur kryedemokrati.
Kujtojmë se Basha është pritur me ovacione dhe qytetarë të shumtë edhe në qytete të tjera të vendit, ku përmendim Kavajën, Shkodrën, Lezhën e Vlorën.



