Partia Demokratike i ka drejtuar sërish 5pyetje qeverisë për inceneratorin e Elbasanit. Përmes një deklarate për mediat, koordinatorja për media dhe komunikim në PD, Silvi Bardhi publikoi disa foto ku shihet mali me plehra në incenerator.
Ajo pohoi në emër të PD se me këtë ndotje rrezikohet shëndeti i qytetarëve, ndërkohë që sipas saj janë vjedhur 27 milionë euro.
Sot do t’i tregojmë z. Rama një mal me plehra. I cili nuk dëshmon vetëm për ndotjen e mjedisit dhe vjedhjen me djegësit, por edhe marrëzinë e tij dhe të qeverisë që ai drejton. Sepse, në vend që të adresojë problemet e përditshme të qytetarit, krimin, korrupsionin dhe ndotjen, i lind ideja e një autoparku ku bëhen gara me makina. Mali që shihni në foto është Kilimanxharo e plehrave në inceneratorin e Elbasanit. Është një gropë mbetjesh e kthyer në mal plehrash.
Më tej ajo theksoi se incenerator nuk ka, por e keqja që ka kapur Elbasanin dhe Shqipërinë ka pjellë këtë mal.
-Nëse inceneratori i Elbasanit funksionon, pse është ky mal plehrash që i bën hije?
-Nëse nuk funksionon inceneratori, po Landfilli ku është degdisur?
-Për çfarë është ndërtuar inceneratori dhe landfilli i Elbasanit, nëse plehrat e qytetit kanë shkuar 300 metra mbi nivelin e detit?
-Ku kanë përfunduar 27 milion euro të taksapaguesve shqiptarë, nëse inceneratori nuk punon, landfilli nuk shihet, dhe as përdoret, dhe plehrat janë po aty?
-A dëmtohet flora e fauna e zonës, dmth bimët dhe kafshët e zonës, apo më shumë se kaq shëndeti i elbasanasve, nga ky masiv mbetjesh, apo me shëndetësinë falas shërohet cdo gjë?
Këtij mali me pleh i mungon një gjel. Artisti Astrit Delvina mund ta zgjidhë këtë punë. Trupi i Elisës, mendtë e Borës dhe koka e Ramës të bëhen një gjel gjithë shkëlqim e të vendosen majë këtij plehu.



