Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali qëndroi sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u prit nga homologu maqedonas, Afrim Gashi.
Në një konferencë të përbashkët për media, kryeparlamentarja, duke marrë shkas për një kërkesë të Kushtetueses Maqedonase për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë, tha se cenimi i gjuhës shqipe cenon identitetin e shqiptarëve.
Spiropali shtoi se kjo çështje në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhet sipas marrëveshjes së Ohrit.
Gjuha shqipe së paku për ne është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë.
Cenimi i saj në çdo formë padyshim dhemb shumë dhe cenon pikërisht këtë identitet që ne afrojmë në këtë botë të madhe në rajon e përtej, si vlerën tonë.
Njohim dhe mirëkuptojmë plotësisht shqetësimet për mundësitë e ndryshimeve të mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje po sipas frymës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit.
Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë ligjin për gjuhët, ku një ndër gjuhët edhe shqipja.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pos tjerat në këtë takim nënvizoi rëndësinë e Korridorit 8 për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa e cilësoi atë një projekt zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë.
Spiropali, e ka quajtur një “ëndërr të shqiptarëve” projektin e Korridorit të VIII-ë, i cili do të mundësojë një lidhje më të shpejtë mes Tiranës dhe Shkupit.



