
Në protestën që opozita po mban para Kryeministrisë, deputetja Jorida Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar një sistem që, sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar në kurriz të qytetarëve.
“Sot jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës zëvendësohet sot me dhunën e korrupsionit, diktaturën e korrupsionit. Është ideologjia e regjimit sot që ka ndërtuar një ekonomi që i shërben vetëm klientëve dhe ofron mundësi për krimin,” u shpreh Tabaku.
Industria dhe bujqësia janë në falimentim. Çdo i varfër e pensionist e di të vërtetën. Sot të korruptuarit bëjnë ligje që të mbrojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve. Familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, shtresa e mesme po shtypet, taksat po shtohen, ndërsa ata lart ushqehen me privilegje që nuk u kthehen qytetarëve.
Tabaku tha se opozita duhet të bashkohet.
“Brenda forcave opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë, debate e qasje të ndryshme, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin duke thënë se ato që na ndajnë nuk janë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur shpopullimin, nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë. Sot na duhet guxim, besim e bashkim. Vetëm bashkë e kthejmë lirinë. Autokratët bien, por Shqipëria është e përjetshme,” përfundoi ajo.



