Kryeministri Edi Rama tha se “duhet ta harrojnë dorëheqjen” ata që kërkojnë largimin e tij pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Rama vuri në dukje se ka dy rrugë për ta larguar nga politika, zemra, ose populli i Shqipërisë.
“Dorëheqjen ti do ta harrosh bashkë me ata të tjerët! Ma keni kërkuar që kur kam hyrë në politikë. Për të më larguar mua nga politika, ka vetëm dy rrugë, ose me largon zemra, ose më largon populli i Shqipërisë”.
Rama sulmoi po ashtu kreun e PD-së Berisha dhe drejtuesit e partive të reja që kërkuan dorëheqjen e tij pas arrestimit të kryebashkiakut.
“Ajo që ishte vërtet interesante ishte se si u ekzaltuan nga arrestimi i Erionit, kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe se si u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, që ua kam thënë, të re kanë vetëm moshën e pronarëve të tyre, asgjë tjetër s’kanë. U përndezën nga era e mishit me gjak, dhe kanë vënë shishen këtu poshtë, si dikur në radhën e qumështit, që të vijnë të kërkojnë dorëheqjen time, sonte njëri, nesër tjetri, se u bë deti kos tani dhe o burra të hidhemi te Kryeministria!”



