
Pas largimit të zyrtarëve policorë, prokurorëve e gjyqtarëve në veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, së fundmi dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe zyrtarët komunal të zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Komisioni Qendror Zgjedhor e ka pranuar njoftimin për dorëheqje të katër zyrtarëve komunalë të zgjedhjeve në katër komunat veriore serbë në veri të Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar njoftimin për dorëheqje të 4 Zyrtarëve Komunal të Zgjedhjeve në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. KQZ-ja do ta trajtojë këtë çështje dhe do t’iu mbajmë të informuar.
Për largimin e zyrtarëve serb nga institucionet ka folur sot edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u bëri thirrje që mos ta bëjnë një gjë të tillë.
Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëjë thirrje që të mos bojkotohen e braktisen institucionet.
Kujtojmë që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, serbët kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës. Deri më tash, ata kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre në qeveri, kuvend, komunat ku udhëheqin, Policinë e Kosovës, prokurori e gjykata.



