
Deputetë të PD dhe LSI kanë mbledhur firmat për të kërkuar ndryshime të Kushtetutës dhe ligjit në bazë të të cilit zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.
Qëllimi sipas opozitës është për t’i dhënë fund antikushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeprokurorit. Amendamenti parashikon zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm me 3/5 e votave ne Kuvend dhe Vetting, derisa të ngrihet KLP.
“Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm. Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar”, thuhet në propozimin e demokratëve dhe LSI-së.
Amendamentet kushtetuese dhe ligjorë të propozuar nga opozita janë sipas standardeve të Komisionit të Venecias, ku kërkohet që zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, të bëhet nëpërmjet një procedure që garanton, përfshirjen në proces të një strukture të pavarur të përbërë nga ekspertë të së drejtës, bashkëveprimin midis organeve të ndryshme kushtetuese, votimin konsensual në Kuvend dhe parashikimin e një mekanizimi zhbllokues përzgjedhës, në rast mosarritje të konsensusit.



