Sali Berisha, pas paraqitjes së tij në SPAK në kuadër të masës së detyrimit për paraqitje, ka bërë deklarata të forta ndaj Altin Dumani, duke e akuzuar për lidhje me krimin dhe duke ngritur pretendime për pasurinë e tij.
“Altin Dumani nuk është i ligjit, por i Maliqit, i mafies”, u shpreh Berisha në një deklarim për mediat.
Ai pretendoi gjithashtu se disponon dokumente që lidhen me banesën e prokurorit dhe vuri në dyshim mënyrën e ndërtimit të saj.
“Kam dokumentet e banesës së Altin Dumanit dhe sipas deklaratës noteriale nuk ka asnjë kontribut ndërsa ka ndërtuar vilën 3 katëshe pa leje”, tha ai.
Berisha vijoi me akuza duke iu referuar deklarimeve të ndryshme noteriale dhe dokumenteve që sipas tij janë paraqitur në procesin e vetingut. Sipas tij, familjarë të bashkëshortes së Dumanit kanë deklaruar se ndërtimi i vilës është financuar nga burime të tjera dhe se ai nuk ka pasur kontribut financiar në të.
“Thuhet se dhëndri nuk kishte pse të fuste fare dorën në xhep për përfundimin e vilës dhe se shtëpia ka filluar të banohet që prej vitit 2000”, u shpreh Berisha.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe pretendime mbi dokumentacionin e pronësisë së tokës dhe legalizimet, duke ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e tyre me ndërtimin e vilës.
Në fund, Berisha përsëriti akuzën e tij ndaj kreut të SPAK, duke deklaruar: “Altin Dumani nuk është i ligjit, por i Maliqit, i mafies”.



