
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa i ka drejtuar sot një kërkesë Presidentit Ilir Meta, për mosdekretimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”
Në deklaratën për medie Zhupa shprehet se, Presidenti nuk duhet të dekretojë ligjin pasi është antikushtetues.
Në cilësinë e deputetes së Partisë Demokratike të qarkut Vlorë, përfaqësuese edhe për qytetin e Sarandës, Konispolit dhe Finiqit dhe si deputete relatore e komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik e kam kundërshtuar me argumente këtë ligj.
Nëpërmjet kësaj letre Ju kërkoj mosdekretimin e këtij ligji bazuar në arsyet e renditura shkurtimisht më poshtë, të cilat shpjegojnë përse ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesin publik.
Zhupa argumenton se, ligji është antikushtetues dhe bie në kundërshtim me Konventën e Parisit 1972.
Konventa e Parisit, për Trashëgiminë Kulturore Botërore, 1972, shprehet se parimi themelor i saj është roli i padiskutueshëm parësor i shteteve anëtare, “Shtete Palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.
Neni 4 i Konventës shprehet, mëse qartë, se “detyra” për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti”. Me transferimin e të drejtave të administrimit shteti Palë ‘heq dorë nga këto detyra” dhe shkel hapur parashikimet e kësaj konvente ndërkombëtare.



