Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha gjatë takimit me demokratët e Kamzës se 14 maji do të shënojë ndarjen njëherë e mirë nga qeverisja e Edi Ramës. Berisha tha se kandidati për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, do ta ndryshojë gjendjen e qytetit.
Me 14 maj, Kamza ndahet dhe Shqipëria, nga sistemi më i keq që ka njohur njeriu dhe njerëzimi, nga sistemi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, në duart e një individi. Çdo analizë që mund ti bëjmë historisë dhe të shkuarës do të gjejmë se regjimet më të këqija, më ç’njerëzore, më jo popullore, kanë qenë regjimet në të cilat një njeri i ka kontrolluar të gjitha pushtetet. Dhe ky është rasti i Shqipërisë sot. Edi Rama i kontrollon sot të gjitha pushtetet e këtij vendi dhe e vërteta është se kontrollon të gjithë ekonominë, financat, gjykata, polici, SHISH, presidencë dhe çdo institucion tjetër.
Në këto kushte me 14 maj, ne votojmë jo vetëm për të vendosur Arjan Hoxhën qytetar të parë në Bashkinë e Kamzës, por votojmë për të shpërbërë pushtetin monist të Edi Ramës, votojmë për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri. Votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik.



