
E deleguara e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, ka bërë thirrje që të nisë sa më shpejt plotësimi i vakancave të krijuara, pas shkarkimit të gjyqtarëve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Schutz ka shprehur konsideratën e saj për punën e deritanishme të Komisionit, ndërsa ka konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për këtë proces, si një mundësi e mirë për Shqipërinë drejt Bashkimit Europian.
“Jam e bindur se një proces verifikimi i pavarur dhe me standarde të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Prandaj është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejt të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore. Në këtë kuptim, Gjermania do të mbështesë edhe Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese", tha Schütz.
Gjermania qëndron krah Shqipërisë duke mbështetur vendin në rrugën drejt negociatave për anëtarësimin në BE. Deri më tani si pasojë e ngecjes në rrjetën e vetingut, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar, nga treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi nuk kanë mundur dot të justifikojnë pasurinë apo kanë rezultuar me kontakte të papërshtatshme. Ndërkohë që Reforma në Drejtësi është një nga pesë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga hapja e negociatave, e cila është premtuar në qershorin e 2019-s.



