
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se Beogradi do të vazhdojë në insistimin e mbajtjes së dialogut me Prishtinën, sepse e sheh si mënyrën e vetme të një zgjidhje paqësore të çështjeve të hapura, porse parakusht do të jetë implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Petkoviç, deklarimet e tij i ka bërë përmes një komunikate për media pas një takimi me ambasadorin e Qipros në Serbi, Dimitrios Tefilaktum, të cilit i ka thënë se “serbët në Kosovë po kanë vështirësi”.
Ai i është referuar edhe disa sulmeve fizike të ndodhura në pjesën Veriore të Mitrovicës, për të cilat ende nuk ka versione zyrtare se nga kush dhe për çfarë motive janë shkaktuar.
“Gjithashtu është rritur retorika anti-serbe në Prishtinë dhe thirrjet për bashkimin me Shqipërinë dhe këto paraqesin një kërcënim real”, thuhet në deklaratë.
Nga marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë në dialogun e Brukselit për mos funksionalizimin e tyre pengesë kryesisht ka qenë Serbia, siç është ajo për njohjen e diplomave të të dyja vendeve dhe marrëveshjeve të tjera.



