Deputeti demokrat Saimir Korreshi, për zgjedhjet që do të mbahen në 23 maj për kryetarin e Partisë Demokratike thotë se njerëzit që janë më pranë strukturave kanë probabilitetin më të madh për të fituar garën.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se cilado kandidaturë që të garojë në krahasim me Sali Berishën, nuk fiton, duke e cilësuar si emblemën e demokratëve, por edhe për faktin se është në kontakt me të gjithë strukturat.
Njerëzit që janë më pranë strukturave kanë probabilitetin më të madh për të fituar garën. Unë kam qenë kundër primareve, për arsye se kush ishte kryetar partie dhe më i lidhur më shumë me strukturat, kishte probabilitet mbi kandidatët e tjerë.
Evi Kokalari apo kushdo tjetër, në krahasim me zotin Berisha, nuk fiton, se zoti Berisha është emblema e Partisë Demokratike dhe është në kontakt me të gjithë strukturat dhe pjesën tjetër.
Besoj se do ketë kandidatura të tjera. Besoj se Berisha është shumë hapa para kandidaturave të tjera, nëse do të ketë.
I pyetur nëse Ervin Salianji përbën “kërcënim” për Berishën, ai shtoi se debatet e brendshme është mirë që të bëhen brenda strukturave.
Sot nuk e shikoj kërcënim Salianjin përballë Berishës, sot shikoj që e gjithë struktura e PD dhe degët janë rreth zotit Berisha dhe e shoh shumë të vështirë për zotin Salianji nëse do të garojë për kryetar.



