
Kryeministri Albin Kurti ka komentuar sot nga Prishtina, takimin e tri shteteve fqinjë për “Mini Shengenin”, që tashmë ka emërtimin “Ballkani i Hapur”.
Kurti, në një komunikim për media, vlerësoi se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mos ballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën, duke shtuar se “Ballkani i Hapur”, sipas tij ngjason më shumë si “Ballkan i Hapur” për ndikimet nga lindja.
“Në veçanti nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjason më shumë si Ballkan i Hapur për ndikimet nga lindja sidomos nga federate ruse por edhe nga Kina, si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës që vazhdojnë të jenë masivisht të lirë në Serbi”, ka thënë Kurti.
Sipas tij tregu i përbashkët duhet të nënkuptoi demokratizim dhe sundim të ligjit në vendet tona, por që thekson se kjo është e pamundur përderisa Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.
“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai.
Kurti siguroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, pa marrë parasysh raportet e krerëve shtetërorë.
“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha ai.



