
Drejtuesi Politik i PS në Tiranë, Erion Veliaj njoftoi sot se socialistët kanë korrur fitore edhe në Njësinë 1 në kryeqytet.
Në një dalje për mediat nga selia rozë, Veliaj tha se fitorja duhet të përdoret nga socialistët që do të çojnë përpara punët dhe të bashkëpunojnë edhe me ata që nuk i kanë votuar.
“Ka qënë një natë e gjatë për skuadrën tonë për disa nga ata. Nata ka qënë 72 orë, ia ka vlejt se 1-shi ka dalë 1-sh. Pas 72 orësh zgjuar do të shplodheni pak. E treta që është më e rëndësishmja, pasi të keni pushuar pak, është koha që t’i kthehemi më fuqishëm punëve. Duhet të kemi një tur, zgjatje dore, për ata që mendojnë ndryshe nga ne, ne fituam se ishim shumica, por duhet të jemi të përulur. Do jetë një ditë e gjatë, çdo 30 minuta do të kemi lajme të mira, falenderoj me zemër të gjithë numëruesit, ata që kanë qenë patronazhistë dhe kanë organizuar njerëz. Apeli im është që të vazhdojmë me numërimin, stafeve tona i them të vazhdojnë me përkushtim. Numëruesve të partive kundërshtare i them që këtë proces ta mbyllim sot dhe sot kushdo që shpallet fitues të vijojë punën në punët e veta. Faleminderit të gjithëve”, u shpreh Veliaj.



