
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti në një takim zyrtar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe roli i Gjermanisë si një prej aleatëve më të rëndësishëm të NATO-s dhe një kontribuues i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Ministri Nufi theksoi se vizita e gjeneral Breuer përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dypalësh dhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në fokus të diskutimeve ishte situata e sigurisë në rajon, angazhimi i përbashkët në kuadër të NATO-s, si dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili pritet të zhvillohet në Tiranë.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimeve ishte modernizimi i industrisë shqiptare të mbrojtjes. Ministri prezantoi programin e qeverisë për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese vendase, tërheqjen e investimeve dhe integrimin e Shqipërisë në zinxhirët evropianë të furnizimit në këtë sektor.
Nufi shprehu interesin për rritjen e angazhimit të kompanive gjermane në industrinë shqiptare të mbrojtjes, duke vlerësuar potencialin për bashkëpunime të reja strategjike.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe rëndësia e Korridorit VIII, si një projekt me ndikim strategjik që forcon lidhjet rajonale dhe rrit mobilitetin ushtarak të NATO-s.



