
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Policia e Kosovës tha se "persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës", duke përdorur "mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav".
Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.
Një granatë dore, e cila ishte hedhur në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut është tërhequr nga ekipet e KFOR e më pas është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një ambient, i cili nuk paraqet rrezik për qytetarët.
“Neutralizimi” i granatës ndodhi pak pas orës 22:00.
Fillimisht ajo për disa orë ka qëndruar në zyrën e KKZ-së pasi nuk ishte identifikuar.
Ekipet e EULEX-it dhe hetues policorë kishin arritur ta identifikojnë granatën dhe rrethuan vendin e dyshuar për mjetin shpërthyes.
Zyra e KKZ-së në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.
Në komunat Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq - që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.



