Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në një takim në Baldushk, në një tjetër takim me fermerët ku tha se “për fat të keq nuk kam arritur të raportoj diçka të ndryshme pozitive”.
“Problemi që më paraqesin këtu ku ndodhem pranë fermës së Kasem Saliu, është diçka që është shokuese, ua faturojnë ujin si të jetë biznes i vogël, imagjinoni. Nafta, benzina me të njëjtin çmim siç e blen Rama për Benz-in e vet të blinduar”, tha Basha.
Fermeri që u takua me Bashën ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mungesën e fitim, dhe me situatën e rënduar financiare për shkak të pandemisë. “S’kemi asnjë lloj fitimi, çmimet janë katastrofë, as plehrat e farat s’kanë garanci. Me minus jemi komplet, tre muaj që e mbylli ai tha kanë punuar bujqërit por nuk kemi pasur mjete e treg ku të shkojmë. Po nuk shite mallin punon kot në tokë“, tha fermeri.
Kryedemokrati theksoi se plani i tij është për një qeverisje normale që drejton për shqiptarët nëpërmjet llogaridhënies dhe jo një qeveri që qeveris vetëm për 5 oligarkë. “Asnjë kacidhe nuk kanë parë as në kohën e pandemisë as në 7 vite, ndaj duhet të gjithë bashkë të mundësojmë rikthimin në normalitet, një qeveri normale e jo qeveri mrekullish është ajo që premton PD, një qeveri normale që nis nga vota juaj e kthen gjithë vëmendjen e fondet tek ju përmes llogaridhënies. Një Shqipëri e gjithë shqiptarëve, e jo një Shqipëri e 5 oligarkëve”.
Duke shfrytëzuar motin me re, Basha dha edhe mesazhin se pas reve gjithnjë del dielli, duke nënkuptuar se ditë më të mira do të vinë për Shqipërinë. “Këtu nga Baldushku jam me besim se Shqipëria jonë e bukur i ka të gjitha mundësitë për ta lënë pas këtë ditë të zezë, meqë kemi dhe retë mbrapa, si thotë ajo shprehja pas reve ka dritë, e drita e shpresës është bashkimi jonë, qëndresa jonë e programi jonë për t’i kthyer shqiptarëve dinjitetin dhe një ekonomi të fortë” , përfundoi Basha
Takimi në Baldushk vjen pas takimit të djeshëm në Ndroq, në vazhdën e konsultimeve që kreu i opozitës së bashkuar po bën me fermerët për të shfaqur planin e tij të ringritjes ekonomike kur të vijë në qeveri.



