
Komisioni i Medias është mbledhur këtë të martë dhe ashtu sikurse edhe dje, deputetët kanë qenë të pranishëm në ambientet fizike. Opozita, nëpërmjet deputetit Luçiano Boçi ka kërkuar rikthimin e kamerave në Komisione.
Ai ka thënë se rregullorja parashikon që kamerat të filmojnë 6 minuta në fillim të seancës dhe gazetarët duhet të jenë të pranishëm, me kushtin që të jenë vaksinuar.
Nga krahu tjetër, deputeti socialist Petro Koçi ka nënvizuar se kjo mënyrë e të bërit seancë, është kushtëzuar nga mungesa e hapësirave.
Sakaq, Ina Zhupa, ka kërkuar që ministrja e Arsimit Evis Kushi të jetë e pranishme në komision dhe të shpjegojë çdo të ndodhë me mësimin në universitete, që është parashikuar të nisë të hënën e 11 tetorit.
Pjesë nga debati:
Ina Zhupa: Ministrja Kushi nuk ka marrë asnjë vendim për mësimin në universitet. Të përgjigjet për oraret mësimore.
Luçiano Boçi: Ne njoftohemi se ka mikrofona ambientalë dhe do përgjohemi. Kjo nuk është normale, mos të bëj një bisedë, se kjo bisedë na dilka. Po na duket vetja sikur jemi në përgjime. Ne pranojmë të përgjohemi ndërkohë që gazetarët nuk i lejojnë të futen por ne përgjohemi. Duhet ta nisim nga vetja jonë, nëse e nisim kujdes se na përgjojmë, atëherë ne nuk jemi të lirë. Mos prania e mediave ndikon në transparencë. Të jemi seriozë në punën tonë. Gazetarët të jenë këtu. Të gjitha çështjet që pashë unë këtu janë të rëndësishme. Edhe kameramanët duhet të qëndrojnë.
Petro Koçi: Situata është vendosur për arsye të hapësirës. Këtu nuk mund të vijnë 100 gazetarë. Prandaj është lënë që të vinë të marrin disa pamje që ti përdorin ndryshe nga njëri-tjetrin dhe pastaj kanë komunikimin që bëhet online. Për mikrofonat ambientalë janë të dukshëm. Ideja është që njerëzit këtu të jenë të kujdesshëm me fjalorin. Nuk besoj se ka lidhje me përgjimin.
Agron Gjakmarkaj: Mua s’më shqetëson fare çështja e mikrofonëve në sallë. Kam një shqetësim tjetër. Kam marrë një reagim nga qendra albanologjike. Janë të shqetësuar sepse po u cenohet autonomia. Ka një tendencë që ajo të kalojë në varësinë e Akademisë së Shkencave. Kërkojnë një reagim nga Komisioni i Edukimit.



