Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë sot takimin e nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Fillimisht, përfaqësuesi i lartë i BE për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime të ndara me liderët e dy vendeve. Ai pritet që të takohet me Kurtin në orën 15:00 i shoqëruar nga Mirosllav Lajçak ndërsa më pas në orën 16:15, pritet të takohet me presidentin serb.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, pritet që të mbahet edhe takimi i përbashkët me liderët e dy vendeve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një marrëveshje bazë” për normalizimin e marrëdhënieve.
Propozimi i BE-së është përkrahur edhe në mënyrë kolektive nga vendet e bllokut evropian në takimin e fundit të Këshillit Evropian.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.



