I dërguari i posaçëm për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, nisi sot vizitën në Kosovë.
Lajçaku do të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përgatitjen e takimit me kryenegociatorët në Bruksel.
Kësaj radhe, krahas Prishtinës, nuk është planifikuar ndonjë vizitë e tij edhe në Beograd.
Kjo vizitë, siç është shprehur më herët edhe vetë Lajçak, ka për qëllim përgatitjen e një takimi në kuadrin e dialogut në nivel të kryenegociatorëve.
Vizita e Lajçakut vjen në një moment të tensioneve në mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit dhe mbylljes së strukturave paralele të Serbisë në veri të vendit.
Emisari Lajçak ka mandat në këtë detyrë deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, në kuadër të rolit si lehtësues i dialogut. Ai është dashur që më 1 shtator ta niste mandatin si ambasador i Bashkimit Evropian në Zvicër, por BE-ja ka vendosur që atij t’ia shtyjë mandatin e emisarit për dialog edhe për pesë muaj të tjerë në mënyrë që të mos ketë ndonjë boshllëk në kuadër të procesit të dialogut.
Përfaqësuesja e lartë e ardhshme e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë se kush do të jetë pasardhësi i Lajçakut, nëse do të ketë fare pasardhës të tij dhe si do t’i qaset Bashkimi Evropian procesit të dialogut.



