
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani.
Gjatë diskutimi u vu theksi në mobilizimin e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e projekteve të ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike, rrëzimit të barrierave dhe bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut u konsiderua si një mundësi për evidentimin e trashëgimisë kombëtare, jo vetëm si vektor identiteti, por vlerë e përbashkët evropiane mes dy vendeve tona.
Shefi i diplomacisë shqiptare përshëndeti arritjet e kursit reformator të ndërmarrë nga kryeministri Zaev për përshpejtimin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai veçoi, në këtë kontekst, përfundimin me sukses të procesit legjislativ për ligjin e përdorimit të gjuhëve, që siguron një shtrirje më të gjerë të përdorimit të shqipes, një akses më të mirë të qytetarëve në shërbime, një përfshirje më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni në mirëqeverisje, politikat zhvillimore, si dhe ndërtimin e shoqërie të hapur dhe një shteti bazuar në vlerat evropiane. “Miratimi javën e kaluar në Sobranie i këtij akti është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Jemi të gatshëm të asistojmë me kapacitete dhe infrastrukturë njerëzore e teknike për zbatimin në praktikë të Ligjit”, u shpreh Bushati.
Ministri Bushati siguroi se Shqipëria, si aktore e rëndësishme e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, do të vazhdojë të mbështesë integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë.



