Analizë nga Denis Dyrnjaja
Erion Veliaj, dikur i promovuar si fytyra e re e politikës shqiptare, është sot një figurë në perëndim të shpejtë. Nga “djali i gjelbër” i promovuar nga vetë Rama, tek kryebashkiaku i akuzuar për arrogancë, klientelizëm dhe një autokraci urbane, të mbështetur te propagandimi pa fund, Veliaj ka ndjekur një trajektore që përfundon gjithnjë në të njëjtin vend: izolim politik.
Gabimi i parë ishte besimi i tepruar në mitin personal. Veliaj e projektoi veten si “kryetari punëtor”, por pas çdo peme të mbjellë dhe çdo rruge të shtruar, fshiheshin tenderë, konflikte interesi dhe një rrjet besnikësh që mbante pushtetin përmes menaxhimit të interesave.
Gabimi i dytë ishte përplasja me strukturat e vetë partisë. Në vend që të ndërtonte aleanca të qëndrueshme brenda PS-së, Veliaj krijoi një piramidë besnikësh në bashki dhe përreth saj. Shumëkujt brenda partisë kjo i ngjante më shumë një shtet brenda shtetit, sesa një strukturë bashkëpunuese. Kjo i kushtoi shtrenjtë. Në vend të simpatisë krijoi antipati dhe shumë hipokrizi, pjesa më e madhe investim personal i tij.
Gabimi i tretë ishte ekspozimi i tepruar në publik dhe arroganca komunikative. Kur propagandon çdo lëvizje, çdo kapele, çdo tavolinë të ngritur, çdo pallat të lyer, vjen një moment kur gjithçka kthehet në falsitet të tepruar. Aq më tepër kur realiteti fillon të flasë vetë: shpërthejnë skandalet skandale, nisin hetimet.
Gabimi i katërt ishte vetëbesimi se ai nuk do prekej. Madje kjo siguri u shfaq përmes një shfaqjeje që la mbresa të forta në publik, por dhe në politikë. Ndërsa doli nga SPAK-u Veliaj i cilësoi prokurorët si kolegë. Kjo deklaratë në dukje si dikush që është i relaksuar, ishte ne fakt mirëfilli një shpërfillje që derdhi edhe kupën e prepotencës në të gjitha dimensionet.
E kur bëhesh i padurueshëm përbrenda partisë, i urryer nga opozita dhe gjithnjë e më i dyshuar nga publiku, as propaganda s’të shpëton më. Arroganca mediatike e ushqyer nga mercenarë me interesa të përkohshme të mirëshpërblyera dhe vetëbesimi i pakufizuar e nxorën Veliajn totalisht jashtë realitetit.
Në fund, rënia e tij nuk erdhi nga ndonjë kundërshtar i fortë. Është një idiotësi të mendosh e jo me të besosh se ai ishte apo po bëhej rivali i Edi Ramës në PS. Ata që e frynin duke i ushqyer iluzionet e pushtetit të madh ia ngatërruan diku GPS-in, për rrjedhojë edhe udhën në politikë Erion Veliajt. Dhe kostoja në këto raste është e tmerrshme. Braktisje dhe harresë.
Dimri i vetmisë së madhe për Lali Erin sapo ka filluar. Kështu është kur ndërton rreth vetes një ushtri me "mercenarë të faturuar" dhe jo të besuar. Ata të lënë herët a vonë në mjerimin e strategjisë tënde të ndërtuar mbi falsitet interesash. Në politikë vlen më shumë një shtrëngim duarsh i sinqertë sesa një marrëveshje e shpërblyer.



