
Analizë nga Denis Dyrnjaja
Sot, ata, njerëzit me veladon të zi që presupozohet se japin e bëjnë drejtësi në Shqipëri, u mblodhën bashkë dhe kërkonin mbrojtje. Po nga kush dhe përse? Aty në atë sallë te kollarisur e stolisur me kostume luksi, ora e bizhu të shtrenjta, nuk janë të gjithë njësoj, por janë pak ata magjistratë që bëjnë diferencën për mirë.
Pas ngjarjes tronditëse në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku i ndjeri Astrit Kalaja humbi jetën në mënyrë tragjike, vëmendja publike u përqendrua tek akti kriminal, tek mungesa e sigurisë në gjykata, dhe mbi të gjitha, tek frika e një sistemi që kërkon tashmë mbrojtje fizike për veten.
Por ajo që po ndodh sot në diskursin publik është edhe më e rrezikshme se akti vetë. Një kastë gjyqtarësh të korruptuar, të lidhur më shumë me pasurinë sesa me drejtësinë, po përpiqen të maskojnë dështimin moral dhe profesional të sistemit përmes rolit të viktimës. Po shfaqen si të persekutuar, si të kërcënuar, si shtresë në nevojë për empati, kur në fakt për vite me radhë kanë qenë aktorët aktivë të një padrejtësie sistematike.
Salla e gjyqit, që në çdo shoqëri demokratike njihet si tempulli i së drejtës, në Shqipëri është shndërruar në skenë të padrejtësisë së zyrtarizuar. Aty ku duhet të dominojë forca e ligjit pa keqpërdorim, prodhohet hija e pazareve, e vonesave të qëllimshme, e vendimeve të shitura dhe e shkatërrimit të shpresës së qytetarit. Dhe tani, pasi kanë ndërtuar perandori mbi rrënojat e ligjit, këta njerëz pikërisht këta përfaqësues të neverisë publike dalin para kamerave dhe flasin për kërcënime ndaj drejtësisë.
E vërteta është se drejtësia nuk është kërcënuar nga qytetarët, por nga vetë kastat që e kanë përdorur atë si strehë për pasurim të paligjshëm. Dhe rasti i vrasjes tronditëse të gjyqtarit Kalaja, nuk mund të mbyllet me ca masa sigurie më shumë në gjykata, por duhet të çelë një debat të madh përse ndodhi? Çfarë e shtyu një person të vrasë një magjistrat në bankën e drejtësisë me qetësi dhe ftohtësi të plotë? Çfarë e shtyu t'i thotë burgut të përjetshëm hapu, pasi nuk ka çfarë humbet? Këto janë pyetjet që duhet të jenë pjesë e një analize të thellë e të gjerë të ngjarjes që nuk mund të kalojë vetëm me debatin për mungesë e nevojë të më shumë masave sigurie e policësh në gjykata.
Po tentohet të krijohet një perceptim i ri se gjyqtarët janë viktima të shoqërisë dhe shtresa më e goditur nga urrejtja, si njerëz të nëpërkëmbur. Por qytetarët e këtij vendi nuk harrojnë se si janë certifikuar me vendime të manipuluara gjykatash tjetërsimet e pronave, se si janë shkatërruar familje përmes vendimesh të korruptuara, se si janë favorizuar kriminelë dhe janë zvarritur çështje civile për dekada. Dhe tani, në vend që të kërkojnë falje, në vend që të heshtin dhe të reflektojnë, po përdorin kartën e diskriminimit për të shmangur përgjegjësinë.
Kjo është një strategji klasike e kastave të privilegjuara, të paraqiten si të diskriminuar sapo ndihen të ekspozuar. Në këtë rast, fjalët “rrezik”, “kërcënim”, “siguri”, janë mburojë për të mos folur për gjykatësit që kanë katapultuar nga varfëria e tyre, në pasuri marramendëse të pajustifikuar në aksiomën e thjeshtë: kush ishe, nga erdhe, çfarë kishe dhe çfarë ke arritur me një pagë shteti? Logjika matematike nuk del. Të flasim për pronat, shtëpitë në rezidenca në kryeqytet e bregdet, apo për valixhet e drurit që u shndërruan në kasaforta hekuri për te fshehur valutën, diamantet e sendet e çmuara të luksit. Për çfarë të flasësh më parë?
Ndaj të gjitha këto çojnë në logjikën e thjesht se drejtësia nuk ka nevojë për truprojë, por për ndërgjegje. Sot nuk jemi përballë një sistemi që kërkon mbrojtje, sepse është i pastër dhe i rrezikuar. Por jemi përballë një sistemi të degraduar e të stolisur me kostume e kollare për t'u maskuar. Truprojat nuk do ta shpëtojnë drejtësinë nga zemërimi i njerëzve. E vetmja mbrojtje reale është rikthimi te ligji, transparenca dhe integriteti.
Nëse kjo kastë nuk e pranon përgjegjësinë, nëse nuk fillon një katarsis të brendshëm për pastrimin e vetvetes nga “pasanikët vanitozë”, atëherë ajo që ndodhi në sallën e gjykatës së Apelit në Tiranë, nuk do të jetë rasti i fundit, por vetëm fillimi i reagimit të qytetarëve që iu nëpërkëmbet e drejta. Kush fshihet pas viktimizimit, është zakonisht ai që e njeh mirë problemin dhe shkakun e vërtetë të kësaj gjendjeje. Çdo version tjetër është një alibi për të gënjyer publikun e për të qenë hipokritë edhe mes vetes. Këtë të fundit e njohin mirë shumë nga ata që sot përfaqësojnë ligjin e çekiçit gjyqësor, se kjo i bën dhe bashkë kur duhet të mbrojnë veten, pushtetin dhe pasurinë që kanë grumbulluar.



