Analizë nga Denis Dyrnjaja
Mos i bini nga Aruba për në Shqipëri, as me valixhe aludimesh e as me fjalime moralizuese pa fakte.
Nëse dikush kërkon të befasojë e indinjojë opinionin publik për marrëveshje të pista e të kompromentuara mes krimit dhe politikës, nuk ka nevojë të shohë e shkojë përtej oqeanit deri në të....arushës, (Arubës).
Mjafton të shohë dritaret e shndritshme të restoranteve apo bareve luksoze në Tiranë, ose korridoret e qeta të zyrave të shtetit ku “investitorët strategjikë” hyjnë e dalin si në shtëpinë e vet.
Marrëveshjet e dyshimta nuk kanë nevojë për palma ekzotike. Ato kryen pa asnjë pengesë këtu në Tiranë me firmë të vetë Kryeministrit.
A nuk janë raste konkrete lejet që morën Altin Hajri dhe Pojat e Durrësit para zgjedhjeve të 11 majit?
Ato nuk u firmosën në plazhet e Arubës, por në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit që drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Pra ndodhën këtu në Tiranë, ku ndarja mes krimit dhe politikës është bërë më e hollë se një fletë leje ndërtimi.
Subjekti “Pjeza 2022” i regjistruar në emrin e bashkëshortes së Altin Hajrit Valentina Hajri, ka marrë leje për “Godinë banimi dhe shërbimi me 18 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë”, në mars 2025, me vendim të KKTU-së.
Eldemar Construction në pronësi të shtetasit Elvis Doçi i njohur me nofkën “Visi i Pojës” dhe subjekti tjetër CFO Farma në pronësi të Nadir Çaushollit kanë aplikuar dhe marrë së bashku leje në KKT për hotel 10 kate në Durrës te Zona e Shkëmbit të Kavajës në prill 2024 me projektin “Rock of Kavaja”.
Nëse duhen prova dhe fakte ligjore nuk ka nevojë të shkosh deri në Aruba. Për të ndërtuar një fabul me implikim të krimit dhe politikës, Shqipëria i ka vetë të gjitha, bregdet, vila, restorante e bare luksoze, por ato që flasin nuk janë këto, as foto e video pa substancë e fakte.
Prova ligjore janë lejet e ndërtimit të dhëna me shpejtësi befasuese në emër të “zhvillimit strategjik”, ku nuk përjashtohen as subjektet nën hetim nga prokuroria e posaçme SPAK.
Rrëmo në dokumente e shkresa për të gjetur e provuar të vërtetën që i shërben dhe ligjit dhe publikut.
Të tjerat janë fantazi dhe llogje mediash e portalesh që mjerisht kërkojnë ca klikime e pak vëmendje të përmjerë!



