Feministja që shkatërroi retorikën e përrallave

Feministja që shkatërroi retorikën e përrallave

Corinna De Cesare

Në vitin 2015, kur u nominua si anëtare e organizatës UN Women për Mbrojtjen, Pjesëmarrjen Politike dhe Lidershipin, ajo tha: "Jam krenare që jam grua dhe feministe". E përsëriti këtë në vitin 2018 në Zelandën e Re, në selinë e qeverisë, përpara kryeministres Jacinda Ardern. Dhe për më tepër e kishte shkruar edhe në faqen e internetit të Pallatit Kensington: "Krenare që jam grua dhe feministe". Nuk e besuam asnjëherë: shumë glam, shumë e bukur, shumë karrieriste, shumë përllogaritëse, aq sa në Shtetet e Bashkuara e quajnë Princesha Pushy, domethënë ajo që çan përpara me bërryla. Sikur të ishte një faj i pafalshëm që një grua të shtyjë të tjerët për të hapur rrugën e vet, në një botë të dominuar nga burrat, të cilët me shekuj jo vetëm që e kanë bërë rrugën e tyre, por e kanë bërë këtë një praktikë të zakonshme që në epokën moderne i është vënë emri manspreading (tendenca e meshkujve për të marrë hapësirë, duke ua hequr atë femrave).

Sikur të ishte faj të jesh e bukur, të jesh aktore, të martohesh me një princ dhe të besosh vërtet në të, në dashuri dhe gjithashtu në idealet feministe. “Fjala feministe - shkruante Chimamanda Ngozi Adichie - mbart një bagazh të konsiderueshëm negativ: urreni burrat, urreni sytjenat, mendoni se gratë duhet të jenë gjithnjë në postet drejtuese, nuk bëni grim, nuk depiloheni, jeni gjithmonë me nerva, nuk keni sens humori, nuk përdorni deodorant”. Meghan Markle ishte dhe është saktësisht e kundërta e të gjitha këtyre klisheve. Kjo është arsyeja pse ne nuk i besuam kurrë asaj dhe çdo deklaratë feministe, çdo dëshirë e shprehur për të jetuar një jetë normale, u pasua nga buzëqeshje dhe ngacmime: e gjete me anë të një takimi “në errësirë” princin më të dëshiruar, për çfarë po flet?

Megjithatë, sot, 80 vjet pasi Edward VIII hoqi kurorën për t'u martuar me të divorcuarën Wallis Simpson, Markle bën gjënë më revolucionare që është parë në një familje mbretërore vitet e fundit. Heqja dorë nga privilegjet, heqja dorë nga imazhi si ikonë e stilit dhe dukëshë, e cili shoqëron burrin e saj në misionet e tij, fut rrobat në valixhe dhe largohet. Dhe ajo e vendos këtë në dakordësi me burrin e saj, Harry, duke përmbysur rolet për herë të parë dhe duke shkatërruar një herë e përgjithmonë retorikën e përrallës: nuk është princi që puth Borëbardhën dhe e shpëton atë, por është ajo që martohet me princin dhe i shpëton të dy nga familja mbretërore. Dhe ata të gjithë jetuan të lumtur dhe feministë përgjithmonë. / Corriere.it / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy