Jo karantinës për antiinstitucionalizëm në universitetet shqiptare

Jo karantinës për antiinstitucionalizëm në universitetet shqiptare

Karantina na ka detyruar të gjithëve ta institucionalizojmë shumë më efektshëm jetën tonë, të menduarit tonë, ndjenjat njerëzore, institucionet, fuqinë tonë si individë me përgjegjësi por edhe dimensionimin më të institucionalizuar të sjelljes tonë përkundrejt shtetit dhe botës. Mjaftoi një gjendje e tillë e detyrueshme për të jetuar përmes të mbrojturit “Rri në shtëpi!” masivisht, mbështetur kryesisht te përgjegjësia personale që të rimendonim, të rivlerësonim fuqinë që zotëron secili nga ne për cilësinë e të jetuarit personalisht, mirëqenien mendore për të menaxhuar jetën tonë komunitare, për jetën e një kombi, shteti, rajoni e më gjerë.

Sjellja jonë, e përgjegjeshme ose jo, sot është kthyer në një çelës ekzistencial në ndërvarësi nga vetja te tjetri në familje, profesion, komunitet, për institucionin, shtetin e më gjerë.

Të përqendruar e të përkujdesur për “VETEN” janë kthyer dhe duhen kthyer edhe jetët tona në institucione. Si po shohim në këto ditë karantine janë ridimensionuar në përqendrimin e  përkujdesin  për “VETEN” e secilit prej nesh institucioni i Presidentit, kryeministrit, shefi i Opozitës, media, biznesi deri diku, ambasadorë, drejtues të OBSH, BE-së etj., sa hera-herës më duket që ra ky “mort” që të gjithë këta më sipër të kuptonin se sa vlerë ka jeta e çdo qytetari në këtë shtet, jeta dhe përgjegjshmëria qytetare në përgjithësi, por mbi të gjitha të kuptonin se shtetin e mbajnë profesionistët dhe idealistët. E mes këtij Big Brotheri “Karantinë”, të gjithë e kuptuam nga i pari tek i fundit që “Rri në shtëpi me rregulla strikte higjiene!” ishte ndihma më e madhe dhe më faktoriale që na duhet të gjithëve për të hedhur tej sa më suksesshëm këtë COVIDmort.

Jetojmë kohën e karantinës për të zotëruar shëndetin, por kjo nuk do të thotë se edhe pse në kushtet e “Rri në shtëpi!”, do të na duhet të lejojmë karantinimin e institucionalizmit kudo ku kontribojmë me profesionet tona. Përkundrazi, institucionalizmi duhet ridimensionuar nga secili prej nesh (pavarësisht posteve dhe hierarkisë) me më shumë humanizëm, komunikim etik, të drejta dhe liri, përkushtim, autonomi e inovacion.

Për ta filluar nga vetja, kjo për sa më sipër, do të thotë që universiteti, institucionalizmi universitar duhet të funksionojnë vertikalisht dhe horizontalisht me fokus humanizmin mes aktorëve dhe faktorëve të jetës së tij; përmes komunikimit etik mes palëve për zgjidhje të menduara mirë pro mirëqenies psikofizike të çdo aktori universitar dhe me aktorë të tjerë të qeverisjes; me përgjegjësinë që duhet të ketë secili në këtë komunitet të madh numerikisht dhe në ndikim publik për respektimin e të drejtave dhe lirive, detyrave dhe përgjegjësive; me shqetësimin kushtetues për respektimin edhe në kushte “karantine të komunitetit human universitar” të autonomisë universitare, lirisë akademike për vendimmarrje që do i shërbenin “karantinës humane – Rri në shtëpi!”, por që kurrsesi do të mund të mendonin të “karantizonin institucionalizmin universitar”.

Që të mos shkasim në këtë të fundit, as për donkishotizëm, por as edhe për hobipushtet premtimi para shefave politikë për gjoja universitetin online, do ta cilësoja si iniciativë të virusuar dhe të  papjekur në analizë dhe realitet institucional, e cila do vëmendje edhe publike.  

Pse?

Pikë së pari, duhet ta kemi të qartë të gjithë që të punuarit online është një praktikë e re universitare në Shqipëri nga orët në auditor me të ftuar edhe online, nga komunikimet shumëformëshe pedagogë studentë, nga Konferenca dhe Simpoziume Ndërkombëtare me partnerë jashtë vendit e deri te produksione të hedhura në rrjet me protagonizëm studentor dhe nga stafi akademik.

Por nga praktika të tilla në kalimin te universiteti online është një vendimmarrje me efekte shumëdimensionale për vetë shtetin, ministrinë e linjës dhe institucionet universitare në vend. Sigurisht, e njohim faktin se ne nuk kemi mundësi që në këtë vend të kemi institucionalisht dhe të licencuar universitetin online në të tre nivelet e tij. Në këtë moment, i pari referim është qasja me ligjin, interpretimin e tij. Këtë e ka patur shumë të qartë kryeministri i vendit që në vendimmarrjet në kushte të karantinës së popullatës, nuk e ka përfshirë në vendimmarrjet e tij për institucione të varësisë duke respektuar ligjin dhe mbrojtur autnominë universitare. Pra, prej këtu, iniciativa në tejkalim mbase ruajti kreun e qeverisë pa e përfshirë në masat e emergjencës, ka kuptuar me sa duket që iniciativa të të tilla janë virusime të institucionalizmit universitar, janë karantinatime të këtij institucionalizmi.

Po si mund tá përdorim këtë kohë karantinimi masiv kundër karantinës për antiinstitucionalizëm në universitetet shqiptare?

Së pari, duke forcuar funksionimin dhe vendimmarrjet institucionaliste përmes online. Ky shtet në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore patjetër që ka nevojë për ekspertizën universitare. Referuar jo vetëm ekspertizës por dhe institucionalizmit në veprim të rektorit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë tashmë universitetet, përkatësisht rektorët, duhet të kishin prodhuar platformat e tyre edhe për asistencën e specializuar për popullatën në kushte vetëkarantinimi. Universiteti i Tiranës duhet të printe në këtë ekspertizë. Sigurisht, si individë ekspertë shumë prej pedagogëve të këtij universiteti i sheh në dobi të edukimit publik, asistencës psikologjike apo asistencë për institucionet edukative, por kjo kohë karantinimi ka nevojë për protagonizmin institucional universitar (të më falin nëse kemi platforma apo iniciativa nga rektorë të universiteteve të tjera në vend dhe nuk i kam paraqitur).

Së dyti, rektorët, njëkohësisht kryetarë senatesh, duhet të kishin mësuar tashmë se po mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare online, e jo më të mos fuqizonte funksionimin e organit më të lartë vendimmarrës, senatit, online për platformën e masave menaxheriale organizative që çdo universitet, pa shkelur filozofinë e sjelljes së popullatës nga normativa qeveritare “Rri në shtëpi!”, brenda mundësive që jep analiza e kapaciteteve humane institucionale, do të  përcaktonte masat në kushte emergjence për programin universitar dhe përgjegjësinë e secilit. Sigurisht që në këto masa, pas analizës dhe komunikimit me bazë njësitë kryesore në formatin e zgjedhur prej stafeve të tyre, Universiteti i Tiranës duhej të dilte me platformën e tij. Kjo platformë do të ishte realiste, e mundshme për t’ realizuar, publikisht prodhonte besim dhe mbi të gjitha ishte ne respekt të autonomisë universitare dhe lirisë akademike. E kundërta është donkishotizëm dhe fyerje për pushtetin publik që ky universitet zotëron  përpara taksapaguesit shqiptar.

Së treti, por që mbase duhet të ishte e para, komunikimi mes komunitarëve universitarë. Në e mailin e cdo të punësuari në UT kanë shkuar e mail-e nga më të çuditshmet. Përmbajtja e tyre uronte Vitin e Ri, dëftonte përplasjet mes strukturave të zgjedhura me votë në UT me Rektorin, e mail-e në adresë me unitir.edu.al çdo lloj firme e biznesi, e mail-e që nga më absurdet dhe me shkelje të etikës institucionale dhe shkresore protokollare, por vetëm një që “përkujdesej”për shëndetin e komunitetit human universitar në kushtet e karantinës nuk mbërriti kurrë.  Nuk po them këtu të shfrytëzohej edhe media (e cila është dashamirëse në raste të tilla) për të treguar realisht universitetin si qendër e ekspertizës për popullatën në karantinë apo shtetin në kushtet e fatkeqësisë natyrore.

Së katërti, a e njohin realisht ideshitësit institucionin e universitetit online? Besoj totalisht se është tipike ide komsomolase dhe protagonizëm donkishotesk. Universitetet online nuk do të thotë vetëm “google classroom”, “meeting classroom”apo tjetër. Këto janë praktika por nuk mund të identifikohen me institucionin universitet online. Do të ishte më realiste që vendimmarrja nga senati të ndërtonte një matricë emergjence me praktikën e universitetit me korrespondencë ndërlidhur me komunikime online në forma të ndryshme sa mbarsim malin që në fund të na dalë një mi.

Unë vetë, edhe pse jam një nga pedagoget që po përdor “google classroom” me tre praktika, deri më tash jam skeptike për shumë element të saj, kur nuk vijnë vendimmarrjet nga analiza konkrete rast pas rasti. Unë fillova pasi kisha kaluar orët në Bibliotekë Kombëtare se si  mund të shfrytëzohej nga studentët fondi i saj, i përkueshëm edhe me programin lëndor pjesërisht. Dola në Google edhe si formë e menaxhimit të stresit studentor në këto kushte karantine por jo vetëm. Me Tiranën, shumicën e tyre i lidh jo vetëm universiteti, por dhe puna në call center-a të mbyllura, me të cilat paguanin tarifat e studimit dhe jetesës dhe që të humbura shtojnë dozat e pasigurisë dhe stresit psikologjik për jetën e tyre studentore, por dhe për familjet e tyre.

Veç të mos harrojmë se kjo formë, sidomos në detyrat dhe punët individuale, nuk na jep asnjë etikë të sigurisë dhe privacisë në grup (të ndierit konfident është kompetencë suksesi). Kodin mund ta marrë edhe dikush përtej platformës “google classroom” (individë të papërgjegjshëm ndaj konfidencës ka jo pak). Janë shumë e shumë çështje që duhet të ishin zgjidhur me shpejtësi të vendimarrjeve institucionale dhe në kushte karantine pa cenuar autonominë universitare dhe lirinë akademike. I ardhur si urdhër dhe jo me vendimmarrje institucionale të organit më të lartë vendimarrës në UT, me shkelje flagrante për të ruajtjen e të dhënave personale të pedagogut (sot me mesazh na është kërkuar numri personal i kartës së identitetit në emër të një platforme të re që po bën rektori!!!).

Per mbi të gjitha, këto praktika ende individuale dhe me shpirt nga praktikantët e parë, por të kërkuara si të vjelura për informacion mbi pjesëmarrjen studentore pa pikë ideje për analizë por vetëm se na i kërkon zëvendësministri, përdhosën edhe krijueshmërinë e studentëve të mi në 3 orë të zhvilluara me praktika online e që radhën tjetër, me propozim të tyre, do të sfidojmë me një praktikë tjetër.

Jo karantinës për anti institucionalizëm në universitetet shqiptare.

  

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy