
Nga Refik HASANI
Në Parlamentin Europian, më datë 06.07.2022, u miratua rezoluta për pasivizimin e shqiptarëve në Serbi dhe ajo do të figurojë në Raportin e Progresit për Serbinë për vitin 2021.
Teksti i amandamentit 79, i cili u propozua dhe më pas u miratua në tërësi nga eurodeputetët, e vë theksin te mohimi i të drejtës së votës së shqiptarëve etnikë në Krahinēn e Preshevës, për herë të parë e shkruan fjalën pasivizimin në thonjëza, flet për shkelje të drejtave themelore politike të shqiptarëve, si dhe thërret për një hulumtim të pavarur.
* * *
Pasivizimi, heqja, fshirja e adresave të qytetarëve shqiptarë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, janë shkelje, cenim, mohim i së drejtës elementare individuale dhe kolektive të ne shqiptarëve, kështu do të rrezikojmë të humbasim pronat e tona, makinat, shtëpitë, tokat, përdorimin e llogarive bankare, sigurimet shëndetësore e shoqërore që kemi paguar deri tani.
Pasivizimi i adresave tona është diskriminim, sepse në tokën tonë, në pasurinë tonë do të mbetemi të huaj. Do të mbetemi pa dokumente, do të shuhemi ligjërisht, do të mbesim të askujt në vendin tonë.
Pasivizimi, heqja, fshirja e adresave të qytetarëve shqiptarë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, është një ndër sfidat më të mëdha, por:
Parlamenti i Shqipërisë dhe Kosovës do të duhej të bënin nga një deklaratë, pse jo rezolutë, Tirana e Prishtina zyrtare, ta adresojnë në BE e OKB, të bëhet një peticion në këto adresa, të protestohet, të njëjtën ditë e orë në Medvegjë, Tiranë, Prishtinë, Uashington e gjetiu.



