Rënia e Republikës/ Pse dështimi në SHISH nuk mbulohet me pranga

Rënia e Republikës/ Pse dështimi në SHISH nuk mbulohet me pranga

Nga Evarist Beqiri

 

Sot jemi përpara një tragjedie institucionale, jo një fitoreje personale. Akuzat e SPAK për ish-drejtuesen e SHISH nuk janë thjesht vepra penale. Nëse këto dyshime provohen, atëherë kemi të bëjmë me cenimin absolut të vetë arsyes pse ekziston një shërbim inteligjence. Skandali i vërtetë i kësaj dosjeje nuk është vetëm fakti penal, por përmbysja e vetë doktrinës së inteligjencës: SHISH u degradua nga një institucion që mbledh sekrete për të mbrojtur interesin kombëtar, në një zyrë që i transferon ato te rrjetet informale të influencës.

 

Kjo që po shikojmë është vetëm maja e ajsbergut. Dëmi ndaj sigurisë kombëtare është kolosal. "Sistemi imunitar" e ka ushqyer virusin në vend që ta luftojë atë. Prandaj, rënia e Republikës është thjesht çështje kohe.

 

Përballë këtij kolapsi, qëndrimi i Kryeministrit është një përpjekje klasike për "karantinimin e fajit". Përmes një karremi shpërqendrues, ai po na kërkon që të gjykohet ekskluzivisht sipas Kodit Penal: "Më gjeni provat që unë kam vjedhur". Askush nuk e ka akuzuar Kryeministrin se ka futur dorën në arkën e SHISH. Nëpërmjet një manovre retorike, ai po mbron portofolin e tij personal dhe parapërgatitet për skandalin e radhës. Nga ana tjetër, shqiptarët po flasin për humbjen e çelësit të kasafortës së sekreteve të shtetit. Kjo gjykohet me një tjetër kod. Me Kodin e Përgjegjësisë Shtetërore, Administrative dhe Morale.

 

Një Kryeministër mund të mos vjedhë asnjë qindarkë, por nëse ai përmes arrogancës së pushtetit shkatërron "sytë dhe veshët" e shtetit, dëmi që i bën vendit është pafundësisht më i madh se çdo abuzim financiar. Korrupsioni është një krim ordiner. Shkatërrimi i lidershipit të inteligjencës është rrezik i pastër kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Të mburresh që nuk lexon raportet e inteligjencës së vendit tënd, por ia lë ato shefes së kabinetit, është njëlloj si një pilot që i thotë pasagjerëve: "Mos u shqetësoni që ramë, unë nuk e kisha prekur timonin fare, ia kisha lënë stjuardesës." Padija e tij e pretenduar nuk është paaftësi. Ajo është një strategji e mirëllogaritur e mohimit të besueshëm. Ky është një "mur mbrojtës" politik i ngritur për të djegur vartësit dhe shpëtuar veten. Në majën e piramidës shtetërore, të mos dish çfarë bëjnë njerëzit e tu më të besuar nuk është alibi mbrojtëse. Ajo është vetëakuza më e rëndë.

 

Kjo qeveri vuan nga "Sindroma e Kirurgut". Ajo mburret publikisht për suksesin e një amputimi, por refuzon të pranojë se ishte pikërisht mungesa e kurimit të saj ndaj infeksionit fillestar që e bëri prerjen e gjymtyrës të pashmangshme. Të thuash që "arrestimi tregon se demokracia po funksionon", është si të thuash që vizita në reanimacion tregon se spitali po funksionon. Ndërkohë që shmanget pyetja thelbësore: pse u infektua pacienti?

 

Në këtë histori, SPAK po funksionon thjesht si një autoambulancë që mbërrin pas një aksidenti fatal. Drejtësia penale nuk është dhe nuk mund të jetë zëvendësuese e llogaridhënies demokratike. SPAK mund të përcaktojë fajin penal të individëve. Por SPAK nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë politike për mënyrën se si u ndërtua, u mbikëqyr dhe u drejtua institucioni.

 

Dorëzimi te drejtësia pasi institucioni është komprometuar thellësisht nuk është lidership. Ai është thjesht kontroll dëmi dhe instinkt mbijetese politike. Faji penal është i individit. Ndërkohë, lejimi i zjarrit në shtëpi, duke fikur me vetëdije "detektorët e tymit" të vettingut, është fatura politike e ekzekutivit.

 

Në botën e inteligjencës nuk ka klauzola lehtësuese për "romancat" apo "dashurinë". Aty ka vetëm Cenueshmëri. Interesi kombëtar u shndërrua në mall shkëmbimi favoresh në pazarin e interesave të errëta personale. Për më tepër, menaxhimi i këtij vakumi përmes delegimit administrativ, duke përdorur Kodin e Procedurave Administrative për të anashkaluar Nenin 92/f të Kushtetutës dhe Presidentin e Republikës, nuk është menaxhim krize. Këtu kemi krijuar një problem kushtetues që kërkon përgjigje.

 

Problemi thelbësor nuk është vetëm te individi që shkakton dëmin, por tek arkitektura politike dhe ligjore që lejoi me vetëdije shkaktimin e tij. Në botën e inteligjencës, besimi është monedha e vetme e shkëmbimit. Pasi je në NATO, sekreti yt është automatikisht sekret i Aleancës. Me këtë skandal, ne po i tregojmë botës se nuk jemi të aftë të ruajmë as sekretet tona, lëre më ato të partnerëve. Ne kemi provokuar një krizë të thellë besueshmërie. NATO është një ombrellë ushtarake, por nëse ne vetë i hapim vrimat në këtë ombrellë duke emëruar njerëz të pafiltruar në krye të sigurisë, shiu i inteligjencës armiqësore do të na lagë brenda në shtëpi.

 

Përballë këtij dështimi kolosal, reagimi nuk mund të mbetet asimetrik. Zemërimi qytetar është thellësisht i ligjshëm, por zemërimi pa alternativë shteron shpejt. Përçarja u shërben vetëm atyre që duan të mbajnë status kuo-në. Lëvizja qytetare dhe klasa politike duhet të kalojnë nga faza "çfarë nuk duam" në "çfarë ofrojmë". Nuk na duhet thjesht një megafon pa ide. Ne na duhet thellësi, lidership i vërtetë dhe një pakt i ri vlerash.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy