
Nga Merryn Somerset Webb
Yanis Varoufakis, ish-ministri grek i Financave, dhe Jeremy Corbyn, lideri i laburistëve britanikë, patën një diskutim publik këtë javë në Edinburgh Book Festival. Zoti Varoufakis u tregua i zoti, mjaftueshëm i angazhuar për ta merituar reputacionin e tij në rritje si socialisti i preferuar i atyre që ndjekin idetë kapitaliste. Varufakis është padyshim një tifoz i Adam Smithit.
Një audiencë që ka lexuar dy nga librat kryesorë të Smithit “Teoria e ndjenjave morale” (1759) dhe “Pasuria e kombeve” (1776), gjeti referenca te fjala e tij.
Por ngjashmëritë më të dukshme janë kur vjen puna te acarimi që Varufakis shfaq në raport me rritjen e pushtetit të korporatave, oligopoleve dhe monopoleve, gjë për të cilën edhe Smith shprehej i shqetësuar gjatë gjithë kohës.
Një nga thëniet më të njohura të tij është pikërisht për këtë çështje. “Njerëzit që bëjnë të njëjtën tregti rrallë takohen bashkë, qoftë edhe për gëzim apo diversion. Por kur e bëjnë, biseda përfundon me konspiracion kundër publikut ose edhe në ndonjë sajesë për të rritur çmimet”, shkruante ai.
Sa më pak lojtarë ka në një industri, aq më të fuqishëm janë ata dhe sa më shumë të rrinë bashkë, aq më e lehtë bëhet për konspiracionin për të ecur dhe për të disavantazhuar njerëzit e zakonshëm.
Dikush mund të mendojë se 228 vjet pas vdekjes së Smithit, kapitalizmi mund të jetë rafinuar në atë mënyrë saqë ne nuk kemi më arsye për t’u shqetësuar. Por nuk është kështu.
Një raport i fundit i FMN-së ngre shqetësimin e rritjes së “pasurisë ekonomike dhe pushtetit” të kompanive të mëdha në sektorë të shumëdiskutuar si teknologjia, kompanitë e fluturimit, farmaceutika dhe auditimi.
Provat përqendroheshin në gjurmimin e vlerës mesatare të mallrave dhe shërbimeve të ofruara nga kompani në 74 vende. Kjo është shkalla në të cilën një kompani mund të vendosë çmimet në raport me kostot, çka mat fuqinë e saj në treg. Sipas FMN-së, rezultatet e kësaj analize tregojnë diçka shqetësuese.
Së pari, rritja e çmimeve në ekonomitë e avancuara është progresive që nga viti 1980 (me një mesatare 43%); ky trend është përshpejtuar në 10 vitet e fundit; dhe rritja më së shumti është përcaktuar nga kompanitë “superstar” në çdo sektor.
Kjo është e rëndësishme sepse pushteti tejet i përqendruar i tregut lidhet me rënien e investimeve dhe inovacionit dhe pjesërisht sepse ky përqendrim i tregut është një nga arsyet që mban të ulëta pagat në Perëndim.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se të ardhurat nga puna bien në industritë ku rritet pushteti i tregut. Megjithatë, kjo ka rëndësi kryesisht sepse duket se përfaqëson një dështim të dukshëm të kapitalizmit.
Në një mjedis të përkryer pa barriera hyrëse në formë rregulloresh, me akses në kapital dhe në shoqatat e industrisë, kompanitë e mëdha nuk do të qëndronin në krye për shumë kohë. Shumë kompani të reja do t’i konkurronin për avantazh dhe pasuria do të shpërndahej ndryshe. Por në mjedisin aktual, kjo nuk ndodh. Me shumë gjasë, shkak bëhen rregulloret apo lobimi i pafund e i kushtueshëm i biznesve të mëdha. Sipas lobbyfacts.eu, Google p.sh. ka pasur 120 takime lobimi me një komisioner, anëtar të kabinetit apo drejtor të përgjithshëm të BE-së në periudhën 2014-2016.
Sigurisht, rrjeti i teknologjisë luan rolin e tij. Në SHBA, shifrat që tregojnë krijimin e kompanive të reja janë shumë më poshtë sesa ato para krizës financiare. Në të njëjtën kohë, kompanitë e mëdha po rriten akoma më shumë. Rezultati është perceptimi dëshpërues se kapitalizmi po bën pikërisht atë që parashikoi Karl Marksi.
Ai po e çon pasurinë te pakica, çka duket se është një nga shkaqet kryesore të ndryshimit të pikëpamjeve drejt socializmit në Britani dhe SHBA. Sondazhet tregojnë se gjysma e popullsisë së moshës nën 40 në Amerikë do të preferonin të jetonin në një shoqëri socialiste, në vend të një shoqërie kapitaliste.
Lajmi i mirë është se ky ndryshim i dukshëm në strukturën e tregut po shkakton ankth të mjaftueshëm te ata që kanë fuqinë për të ndryshuar diçka. P.sh. kjo gjë ishte në axhendën e simpoziumit të bankave qendrore të Jackson Hole. Megjithatë, nuk pati një zgjidhje të qartë.
Smith, p.sh. nuk do të kishte preferuar një zgjidhje që nuk shkon paralel me “drejtësinë dhe lirinë”.
Por duke pasur parasysh se të gjithë, në shumicën e qëndrimeve në debatet e momentit - pavarësisht se identifikohen si kapitalistë apo si socialistë - duket se bien dakord se janë antioligopol dhe pro shpërndarjes së drejtë të punës dhe është koha për të riformësuar politikat industriale.
Qëllimi nuk duhet të jetë të “zgjidhen fituesit”, por të çrrënjosen fituesit e gabuar. Mund të mos jetë i domosdoshëm shqetësimi për kompanitë dominuese të teknologjisë në të ardhmen e afërt, p.sh., duke pasur parasysh se, duke lënë mënjanë problemet e të dhënave personale dhe çështjet e taksave, produktet e tyre u bëjnë shumë punë njerëzve.
Por një lloj i ri kapitalizmi mund të gjejë argumente në legjislacion për shkëputjen e firmave të kontabilitetit dhe ndalimin e tyre për të bërë njëkohësisht edhe auditimin edhe financimin e korporatave dhe mbase edhe për kufizimin e lobimit që ato bëjnë. Sido që të jetë, fakti se si miqtë edhe armiqtë e kapitalizmit po e përqendrojnë vëmendjen te të njëjtat probleme krejtësisht të zgjidhshme, është patjetër një përparim.
Autori është kryeredaktor i Money Week



