Nuccio Ordine - Corriere della Sera
Antoine de Saint-Exupéry kishte të drejtë kur thoshte se "në të vërtetë ka vetëm një lloj luksi dhe është ai i marrëdhënieve njerëzore". Asnjëherë si në këto javë izolimi, në fakt, ne nuk jemi ndërgjegjësuar për atë se marrëdhëniet njerëzore - reale, jo virtuale - bëhen gjithnjë e më shumë një “mall” luksi. Tani mund të matim ndryshimin midis urgjencës dhe normalitetit. Nëse në raste emergjence si kjo që po kalojmë, të mbyllur në shtëpitë tona, thirrjet video, Facebook, Whatsapp dhe mjete të tjera të ngjashme bëhen forma e vetme e komunikimit për të mbajtur gjallë marrëdhëniet me të tjerët, në kohë normale të njëjtat mjete komunikimi mund të jenë burim i rrezikshëm iluzioni. Është banale të mendosh që miqësia në një rrjet social mund të bëhet me një klikim. Ashtu si të bisedosh në rrjet nuk do të thotë të kultivosh një lidhje. Një marrëdhënie autentike ka nevojë për lidhje të gjalla, të vërteta dhe fizike.
Të qenit të varur nga pajisjet e teknologjisë kanë favorizuar në mënyrë progresive dominimin e virtuales, deri në atë pikë sa është bërë fare e zakonshme të shohësh të rinj të ulur krah njëri-tjetrit, secili me kokën e përkulur në smartfonin e vet, duke injoruar njëri-tjetrin dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë. E njëjta gjë vlen edhe për përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët mendojnë, në hapësirën e mbyllur të një dhome, se po ndërtojnë marrëdhënie përmes një PC ose tableti: prapa një lidhje të përhershme me të tjerët, në fakt qëndron kultivimi i një forme të re vetmie të tmerrshme. Do të ishte e paimagjinueshme jeta pa internet dhe pa telefona. Por teknologjia, si një ilaç apo helm, mund të shërojë ose të helmojë: varet nga dozat!
Në një shkrim për “New York Times”, Nellie Bowles tregonte sesi përdorimi i pajisjeve teknologjike në Shtetet e Bashkuara po zvogëlohet në familjet e pasura dhe po rritet te ato mesatare dhe të varfra. Elitat e Silicon Valley i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla ku inkurajohen marrëdhëniet njerëzore në vend të teknologjisë. Pra, në të ardhmen, luksi i ndërveprimit njerëzor do të jetë i destinuar gjithnjë e më shumë për pasardhësit e të pasurve, ndërsa versioni dixhital-virtual do të përdoret për të formuar ata që kanë më pak mundësi ekonomike? / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



