
Gazeta “Zëri” në Kosovë njoftoi se është përjashtuar prokurori special i rastit të deputetit Milaim Zeka, Afrim Shefkiu, pas kërkesës së avokatit të Zekës, duke u bazuar në nenin 44, të paragrafit 3 të Kodit të Procedurës Penale.
Deputeti Zeka deri para disa javësh ndodhej në arrest shtëpiak me akuzën e mashtrimit me viza pune për rreth 900 shtetas të Kosovës, ndërkohë që prokurori Afrim Shefkiu i kishte nxjerrë të 900 si dëshmitarë. Brenda natyrës së vete nevrastenike, Zeka kërcënoi se do ta ndiqte edhe me kanun prokurorin, çka edhe solli arrestimin e tij.
Ky rast është i mjaftueshëm për të ilustruar jetën politike të botës shqiptare, e cila prej thuajse 30 vjetësh dominohet nga neurozat e përcjella nga karaktere jonormale dhe nga njerëz që vijnë nga një rrugë që pak ka të bëjë me qeverisjen.
Jo se kjo nuk ka ndodhur më parë, por në botën e sotme të mediave sociale dhe të internetit, njerëz të këtillë kanë gjetur podiumin prej nga ku flasin dhe vendosin standardin e të folurit publikisht në shoqëri që nuk reagojnë, sepse ndihen të kërcënuara. Personazheve të tillë nuk u mjafton pushteti faktik që zhvasin përmes forcës, së fundmi ata përvëlohen nga dëshira edhe për të ligjëruar.
Sigurisht Zeka nuk është i vetmi, por ai bën pjesë tek ajo kategori që promovohet vetë përmes histerisë personale që transformohet në histeri politike. Këtu mediat që duhet të ndërmjetësojnë mes publikut dhe vendimmarrjeve kanë përgjegjësinë e tyre. Zeka sigurisht nuk është i vetmi. Grushtet, sherret, armët dhe gjëmimet e kërcënimeve gjithfarëshe i sheh kudo në botën “demokratike” shqiptare. Në Shqipëri edhe Parlamenti që lamë pas ishte skenë e dominuar nga njerëz që akuzën nga foltorja e përtypnin si fyerje dhe çnderim. Sot dy partitë kryesore kanë bërë punë të mirë: kanë sjellë në Parlament memecë të pasur, nga ata që shohin punën e tyre.
Në Maqedoni skena e rrahjes në mes të seancës mes përfaqësuesve shqiptarë është e freskët. Dhe jo vetëm mes deputetëve të panjohur, por edhe nga një politikan si Menduh Thaçi. Shikoni një video të vitit 2007 të tij, mënyrën si sillet dhe si flet. Diçka mes një mafiozi, bajraktari dhe gangsteri. Përballë tij, Ali Ahmeti ngjan një mësues i dëlirë dhe i përulur, i cili mesa duket ka kuptuar se punët e mira bëhen pa zhurmë.
Si mund ta lidhim këtë malformim burrash që bubullijnë dhe kërcënojnë gati duke shpërthyer me armë në dorë me faktin që kemi të bëjmë me një elitë të dalë nga lufta?
Padyshim që ky është një argument që na e jep shkakun e kësaj rrugaçërie dhe këtij banditizmi parlamentar. Sepse në luftë hyjnë në veprim shumë skenarë, aty farkëtohen karriera dhe më e rëndësishmja, aty mjet politik është edhe likuidimi fizik.
Për ta kuptuar këtë anomali të jetës parlamentare që vjen për inerci nga lufta, mund të shohim përballjen e hershme të politikanëve të dalë nga lufta në Kosovë, konkretisht mes ish-deputetit Gani Geci, i cili vazhdimisht lançon akuza kundër presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe ish-vartësve të tij nga Partia Demokratike atje. Ish-deputeti Gani Geci është i mirënjohur si shumë impulsiv dhe i papërmbajtshëm, aq sa në vitin 2006 në Kuvendin e LDK-së, ai arriti deri aty sa organizoi një sherr masiv. Arsyeja? Nga aq sa kuptohet ishte fakti se nuk u hap vend për ambiciet e tij. Që nga ai moment e më pas, Geci ishte një ndër të preferuarit e mediave kosovare, ai u shfaq madje në një emision edhe me pistoletë në brez. Njerëz që bëjnë zhurmë të tillë dhe gjëmojnë në rrugën e tyre politike me mjete të forta, kanë bërë vend si yje të komunikimit publik, sidomos në rastin kur dikush duhet të akomodojë lojërat politike, duke goditur njerëz që akumulojnë pushtet të madh si Thaçi.
Dhuna e të fortëve si Geci është alternativa e dështimit për ta mundur modelin Thaçi me votë. Përplasjet në stilin e Gecit po i afrohen absurdit për arsye që mund të gjejnë vend vetëm në Kosovë. Para një muaji, Geci doli para mediave për të akuzuar hapur se Hashim Thaçi ka urdhëruar vrasjen e ish-kreut të Forcave të Armatosura të Kosovës, Ahmet Krasniqi dhe se ai do të dëshmojë për këtë në Gjykatën Speciale.
Mirëpo mediat në Kosovë e kanë qarkulluar masivisht këtë deklarim, duke neglizhuar faktin se Geci ka qenë dënuar për vrasjen në vitin 2014 të Ruzhdi Shaqirit, duke u rikthyer më pas në rigjykim për shkak të kërkesës lehtësuese të prokurorisë. Geci deklaronte se ishte vetëmbrojtje, ndërkohë që çështja e tij, e shqyrtuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka elementë të tjerë që do të duhet të ishin konsideruar nga media kosovare kur pa hezitim publikonin si version të besueshëm akuzat e tij. Akt-gjykimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës u anulua nga Gjykata e Apelit e Kosovës për shkak të një raporti të Institutit të Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, e cila i ishte dërguar Prokurorisë së Mitrovicës pas ekzaminimit mjekësor të Gecit. Raporti konfirmonte çrregullime mendore të karakterit të përhershëm.
Tv TemA nga burime brenda gjyqësorit kosovar kishte siguruar këtë raport, ku ndër të tjera vlerësimi i bërë nga Instituti konkludonte se:
Rezultatet e MMPI-201, në përgjithësi flasin për vlera të larta në pothuajse të gjitha shkallët e psikopatologjisë së personalitetit. Vlerat e larta në shkallën e Hs (Hipokondirazë), De (Depresion) dhe Hy (Histeri) flasin për destabilizim të sistemit nervor autonom.
Këtu nuk është çështja për të gjykuar statusin e një deputeti apo të një tjetri, por në zbatimin e një kriteri etik në raportim. Në fund të fundit thirrja për etikë po na vjen pikërisht nga Kosova së fundmi dhe është një farë detyrimi i të gjithëve që të matemi mirë kur lejohet të kalojnë situata të tilla që befas mund të shndërrojnë në figura nacionale njerëz që përndryshe do të kishin peshë shumë më minore. Qoftë dhe për fjalën që thonë.



