
Analizë nga Denis Dyrnjaja
Shqipëria është kthyer në një vend ku të gjithë kanë nga një mendim, një analizë, një konstatim, një status në Facebook, një intervistë me ton të lartë, por pakkush për të mos thënë askush, nuk ofron zgjidhje. Të gjithë e dinë se çfarë nuk shkon, por pak ose aspak duan të marrin përgjegjësi për të bërë diçka që duhet apo ndryshon kahun e gjërave të rëndësishme.
Në politikë, pozita flet për sukseset, por ato nuk përputhen plotësisht ose gjithnjë me realitetin. Opozita ka mbetur peng i retorikës së përsëritur dhe ngërçit të rrëmujshëm të identitetit të vetvetes. Shoqëria civile bën thirrje për llogaridhënie, por rrallë herë guxon të përfaqësojë ndonjë kauzë deri në fund. Akademikët, analistët apo mediat i identifikojnë problemet, por askush nuk ofron rrugëdaljen.
Jemi shndërruar në një vend që prodhon më shumë opinion sesa aksion dhe më shumë konstatim sesa zgjidhje. Ironia e madhe është se kjo është bërë një lloj krenarie përmes vetëndjerjes apo shprehjes: “E thashë që do ndodhte...” Por çfarë vlere ka ta parashikosh problemin, nëse nuk u përpoqe të jepje më parë një opsion për ta parandaluar atë?
Në fund, nuk janë krizat apo problemet që shkatërrojnë një vend. Është mungesa e atyre që nuk angazhohen për të ofruar dhe imponuar zgjidhjen e vlefshme të tyre. Sepse të gjithë vetëm konstatojnë pambarimisht. Por Shqipërisë nuk i duhen më dëshmitarë të gjendjes faktike, i duhen përgjegjës për ndryshimin. Dhe nëse askush nuk del për të dhënë një zgjidhje, që duhet të jenë e besueshme, nga individë apo grupime që bindin për atë që çka përfaqësojnë dhe të përqafohen masivisht nga publiku, atëherë do të jenë problemet dhe jo zgjidhjet ato që do të dominojnë realitetin pambarimisht.
Dhe për të mos mbetur si konstantim për konstantimet në tërësi, po sugjeroj edhe disa opsione për ndryshim faktik
1) Mediat, akademia e shkencave dhe shoqëria civile të merren por të mos mjaftohen vetëm me identifikimin e problemeve, por të ofrojnë periodikisht propozime konkrete politike, ligjore apo administrative, të hapura për debat dhe zbatim. Të krijohet një platformë e përbashkët që të diskutohet mbi çështje me rëndësi bazike për vendin.
2) Mbështetje për lidershipe të reja me ide konkrete. Të nxiten dhe promovohen individë apo grupe me plane të qarta veprimi, jo thjesht me retorikë kundërshtuese. T'u krijohet hapësirë prezence në media, ambientet universitare dhe forume publike. Të kërkohen edhe ndryshime ligjore që mediat të kenë detyrim që përveç menusë se tyre programore të ofrojnë hapësirë raportimi dhe pasqyrimi për këto iniciativa që do emancipojnë shoqërinë në tërësi.
3) Të institucionalizohet detyrimi për konsultim teknik me profesionistë dhe grupe interesi për të prodhuar politika publike të bazuara në zgjidhje dhe jo në propagandë.
4) Opinioni publik dhe mediat duhet të mësojnë të kërkojnë "planin konkret të veprimit" pas çdo qëndrimi, jo të mjaftohen thjesht me qëndrimin në parim të deklaruar. Të promovohen individët që ofrojnë modele konkrete zgjidhjesh.
5) Mosangazhimi i vetëdijshëm duhet të kritikohet po aq sa edhe paaftësia apo abuzimi. Të mos normalizohet më qëndrimi "s’kam ç’të bëj", kur krizat thellohen.
6) Shndërrimi i protestës nga simbolikë në presion efektiv politik. Shoqëria civile dhe qytetarët të mos mjaftohen me shfaqje proteste, por të gjejnë kauza të qëndrueshme me qëllim final legjislativ, institucional ose politik.
Këto janë hapa të thjeshtë në letër, por të vështirë në praktikë. E megjithatë, pa to, Shqipëria do të mbetet gjithmonë vendi ku të gjithë flasin por asgjë nuk ndryshon.



