Egjipti i ka kthyer sytë nga arkeologjia për të tërhequr sërish turistët. Zbulimi i parë për vitin 2019, është ai në një zonë të Minya-s, ku janë gjetur rreth 40 mumie të ruajtura mirë. Zbulimi u bë në Tunah Al-Jabal, një vend gërmimi 250 km në jug të Kajros. Mumjet, rreth dyzet, u gjetën në dhoma varrimi të gdhendura në shkëmb. Ata i përkasin një familje të klasës së mesme, kanë bërë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Antikave. Koha të cilës i përkasin mumiet është shumë e hershme (ajo e Ptolemeut gjatë perandorisë romake dhe bizantine) dhe për këtë arsye supozohet se varreza është përdorur për shekuj të tërë. Mumjet janë në gjendje të mirë dhe të paktën dhjetë prej tyre janë fëmijë. Disa janë të zbukuruara me shkrim në demotik, një formë e përdorur nga njerëzit e zakonshëm. Në varrezë u gjetën edhe mjete të shumta qeramike, papirus dhe sarkofagë me ngjyrë.
Zyrtarët egjiptianë thonë se shumë zbulime të reja arkeologjike do të shpallen së shpejti. Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Rania al Mashat theksoi se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer mes departamentit të tij dhe antikitetit dhe kjo do të ndihmojë në ndërtimin në Kajro të Muzeut të Madh Egjiptian, që është planifikuar për vitin e ardhshëm. Autoritetet egjiptiane nuk e fshehin ambicien për t’u përqëndruar te arkeologjia në funskion të rikthimit të turistëve, pasi për tetë vjet, dy revolucione dhe disa sulme terroriste e goditën fort industrinë egjiptiane të turizmit, një nga shtyllat e ekonomisë kombëtare.



