
Në Sarajevë të Bosnjë Hercegovinës po mbahet takimi rajonal i Akademive të Shkencave me qëllim forcimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërakademik për të ndërtuar projekte të përbashkëta, aplikimin e tyre në fondet rajonale, ato europiane të kërkimit e në fondet ndërkombëtare.
Marrin pjesë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Bosnje-Hercegovinës, Akademia Kombëtare Gjermane-Leopoldina, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë dhe Turqisë të përfaqësuara nga drejtuesit e tyre në nivel kryetarësh ose zv.kryetarësh.
Akademiku Vasil Tole zv.kryetar i Akademisë së Shkencave, në fjalën e mbajtur tha ndër të tjera se akademitë tona kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur duke koordinuar burimet vendase me ato rajonale, në mënyrë që të kenë akses dhe arritje më të mirë në nivelet dhe standardet e avancuara të këtyre projekteve kërkimore. Projektet kërkimore të BE-së kanë qenë prej kohësh një sfidë për Ballkanin Perëndimor.
Prandaj, krijimi i strukturave ndërmjetëse është një hap i domosdoshëm. Akademitë tona nuk janë të panjohura me këto modele dhe mund t’i referohemi rasteve të mëparshme të ekipeve dhe forumeve të përbashkëta, të cilat duhet të zgjerohen intensivisht nëse duam të kërkojmë më shumë pjesë dhe përfshirje në kuadrin e granteve të BE-së për kërkimin shkencor.



