Sot bota e muzikës ka humbur një ikonë. I pagëzuar si “Beatles-i i pestë”, producenti i grupit muzikor më të ndjekur në histori, George Martin u largua nga jeta gjatë gjumit, në moshën 90-vjeçare, mbrëmjen e së martës.
Lajmin e bëri publike vetë ish-bateristi i The Beatles, Ringo Starr me anë të një postimi në Twitter, ku mes të tjerash shkruante “Zoti e bekoftë George Martin”.
Martin lindi në vitin 1926 në Highbury të Londrës në një familje puntorësh. Sipas ekspertëve të fushës mund të thuhet me plot gojë se nëse djemtë nga Liverpool-i nuk do të kishin njohur Martin, fama dhe influenca e tyre do të ishte shumë herë më e vogël. Kjo pasi Martin ishte një profesionist brilant në fushën e tij, jo vetëm si producent por edhe si njohës i mirë i kulturës muzikore dhe trendeve të kohës. Ashtu siç e kanë përshkruar dhe vetë pjestarët e grupit, Martin ishte dhe personi që bëri të mundur realizimin e një albumi legjendar në historinë e rock-ut si Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band, i vitit 1967 . Ky album është i pari në klasifikimin e 500 më të mirëve sipas revistës Rolling Stone. Me 32 milionë kopje të shitura, Sgt. Pepper's Lonely Hearts Club Band mbetet dhe i pari concept album i prodhuar nga industria e muzikës.
Me një stil krejt tjetër në veshje dhe në mënyrën e të bërit të gjërave, gati-gati “aliene” në krahasim me djemtë e grupit, Martin ishte çelësi i transformimit i The Beatles nga popi i Love me do drejt zhanrit psikedelik me Revolver. Kumbari dhe personi që bënte realitet intuitën gjeniale të John Lennon dhe Paul McCartney, Martin mund të thuhet se ka ndryshuar në mënyrë të parevokueshme rrjedhën e muzikës.
Pas eksperiencës me The Beatles, George Martin ka punuar dhe me yje si Elton John apo Celine Dion duke prodhuar 700 albume, 50 hite në 5 dekada karrierë.
“Ka diçka që nuk shkon?”
Personi që i mundësoi kontratën e parë diskografike grupit The Beatles ishte vetë George Martin. Ky i fundit pasi dëgjoi një pjesë të grupit nuk u tregua entuziast, por i pëlqeu zëri i Lennon dhe McCartney, ndaj dhe vendosi tu jepte një mundësi të dytë. Gjatë audicionit Martin vazhdonte të mos ishte entuziast ndaj muzikës së grupit por u pushtua nga ironia e tyre.
Në përfundim të këtij audicioni, kur pyeti djemtë në kishte diçka që nuk shkonte, kitaristi George Harrison iu përgjigj: “Po! Kravata jote, për shembull”. Pas kësaj batute, sipas legjendës, Martin u bind dhe firmosi kontratën për katër “të çmendur” që ndryshuan botën.



